Kombetarja

FSHF apel tifozëve për ndeshjen: Të jetë ditë feste! Hyrja në stadium, 3 orë para

Gazeta Si – Ndeshja e së hënës me Ishujt Faroe do të jetë edhe dita e festës së madhe për kuqezinjtë, për kualifikimin në Euro 2024. Pjesë e festës do të jenë sigurisht edhe tifozët, të cilët do të mbushin stadiumin ‘Air Albania’.

Për të shmangur çdo problem, FSHF ka bërë një apel për tifozët e Kombëtares. Hyrja në stadium do të nisë 3 orë para startit të ndeshjes, në orën 17:45, me qëllimin që të shmangen vonesat. FSHF kërkon bashkëpunimin e tifozëve, që mbrëmja e së hënës të jetë vërtet një festë e madhe.

“Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të njoftojë të gjithë tifozët shqiptarë që do të jenë të pranishëm në ndeshjen Shqipëri–Ishujt Faroe (20 nëntor, ora 20:45), mbi orarin e hyrjes në stadiumin “Air Albania”.

Hyrja e tifozëve në stadium do të nisë nga ora 17:45. FSHF kërkon bashkëpunimin e të gjithë tifozëve shqiptarë që të paraqiten në kohë, në mënyrë që të mos krijohen radhë ose vonesa dhe të gjithë të jenë në vendin e tyre në orën 20:45, kur nis kjo ndeshje. 20 nëntori duhet të jetë një ditë feste për të gjithë.

Federata Shqiptare e Futbollit ju falënderon për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pashtershme që i jepni gjithmonë ekipit Kombëtar. Shpresojmë në mirëkuptimin tuaj”, - shkruhet në njoftimin e FSHF-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë