Nga Gazeta ‘Si’ – Trekëndëshi i Fuqisë së Madhe: Uashington, Moskë, Pekin. Ky ishe titulli i një libri të shkëlqyer të botuar në vitin 1972 nga Michel Tatu, një ekspert mbi Bashkimin Sovjetik, njëherazi gazetar i të përditshmes franceze ‘Le Monde’. Duke parë këtë titull sot, ne mund të pyesim veten se çfarë efekti do të ketë lufta në Gaza në këtë trekëndësh të veçantë.
Konflikti midis Hamasit dhe Izraelit, është një lojë me shumën zero:Izraeli mund të dalë fitimtar, vetëm nëse e nxjerr njëherë e mirë jashtë loje Hamasin. Por kjo nuk vlen për Uashingtonin, Moskën dhe Pekinin, të cilët në mënyra të ndryshme mund të dalin më të fortë nga ky konflikt.
Që nga 7 tetori, SHBA-ja është kthyer në Lindjen e Mesme. Angazhimi i saj ushtarak, i simbolizuar nga prania e 2 aeroplanmbajtësve, është thjesht spektakolar. Hezitimet e Barack Obamas në shtatorin e vitit 2013, kur ai vendosi të mos vepronte pas shkeljes së “vijës së kuqe” që ai vetë kishte vendosur ndaj regjimit të Assad në Siri, janë harruar plotësisht.
Natyrisht, Izraeli është aleati kryesor i Shteteve të Bashkuara në rajon. Ndaj Uashingtoni nuk ka luksin ta “humbë” Jeruzalemin, pasi as Kajro dhe as Riadi nuk janë partnerë plotësisht të besueshëm.
Izraeli, fuqia kryesore ushtarake në rajon – shumë më e cenueshme nga sa mendohej deri dje – ka nevojë për Shtetet e Bashkuara, po aq sa ka nevojë SHBA-ja për të. Presidenti amerikan Joe Biden, po nxjerr mësime të dyfishta nga dështimi i vendit të tij për të vepruar në Siri në vitin 2013, por edhe nga tërheqja strategjike dhe simbolike nga Afganistani në vitin 2021.
Uashingtoni në anën e Izraelit, por kujdes nga një segment ekstremist i demokratëve
Si një internacionalist, dhe në traditën e Partisë Demokratike që pas Luftës së Dytë Botërore, pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi në Izrael, Joe Biden mund të reagonte vetëm me vendosmëri dhe në mënyrë emocionale. Një ditë pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001, presidenti i atëhershëm i Francës Jacques Chirac udhëtoi menjëherë drejt Nju Jorkut, pa pasur parasysh as llogaritjen politike më të vogël.
Joe Biden bëri të njëjtën gjë një ditë pas sulmit masiv ndaj Izraelit. Natyrisht, vizita ishte gjithashtu edhe një mënyrë për ta penguar Iranin të përfshihej zyrtarisht në këtë konflikt. Një bast politik i suksesshëm deri më tani. Por mbi të gjitha, presidenti amerikan synonte t’u tregonte izraelitëve se ata nuk ishin vetëm, dhe se fuqia kryesore ushtarake dhe ekonomike në botë ishte në anën e tyre, ashtu si në vitin 1948, kur u krijua shteti i Izraelit.
Paradoksi është se duke u sjellë ashtu siç duhej, kandidati i demokratëve mund të ketë dobësuar shanset e tij për t’u rizgjedhur në detyrë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Brenda Partisë Demokratike ekziston një skaj i ekstremit të majtë (ndjeshmëritë e të cilit janë më pranë partisë La France Insoumise në Francë), që mund të abstenojë në nëntorin e vitit të ardhshëm. Kjo qasje mund të ketë një efekt katastrofik për Ukrainën dhe botën në përgjithësi, por jo domosdoshmërisht për Izraelin, pasi Partia Republikane e mbështet fuqishëm shtetin hebre.
Shantazhi i Moskës
Në rast se SHBA-ja është më e pranishme në Lindjen e Mesme që nga 7 tetori, po ashtu është edhe Rusia. Madje mund të themi me njëfarë besimi, se Moska është fituesja e madhe (të paktën deri tani) e Luftës së Gazës. Sepse jo vetëm që imazhet nga Izraeli kanë zëvendësuar thuajse tërësisht ato të konfliktit në Ukrainë.
Por Rusia e Putinit po kryen de fakto një formë shantazhi të nënkuptuar ndaj botës perëndimore.
Shantazhi mund të përmblidhet në këtë formë:“Ju keni nevojë për mua në Lindjen e Mesme, sepse unë jam e vetmja që kam qasje tek Irani (për të mos përmendur Sirinë). Por unë nuk do t’ju ndihmoj falas.
Ndihma ime kushtëzohet nga më pak angazhim nga ana juaj në krah të Ukrainës. Përveç kësaj, shihni opinionin publik në vendet tuaja:njerëzit janë shumë më të pasionuar (të ndarë) nga ajo që po ndodh në Lindjen e Mesme, sesa nga ajo që po shpaloset në Ukrainë prej gati 2 vjetësh”.
Strategjia ruse e destabilizimit
Së bashku me përllogaritjet dhe nënkuptimet, Rusia nuk heziton (me shumë gjasa) që të ndërmarrë fushata dezinformimi dhe destabilizimi në territoret e vendeve tona. Yjet e Davidit, simbole që ditët e fundit janë shumëfishuar në muret e disa lagjeve të Parisit dhe periferive të kryeqytetit francez, janë ilustrimi më spektakolar i kësaj që po them.
Sigurisht, i takon botës perëndimore të sigurojë dështimin e synimeve të këtyre manovrave të pista. Dhe mbështetja jonë për Kievin duhet që të mbetet e palëkundur. Ajo që po ndodh në Evropën Lindore, ndikon ndoshta më pak emocionalisht tek opinioni publik në Perëndim, por ajo na shqetëson po aq, në mos më shumë sesa ajo që po ndodh në Gaza. Një fitore për Rusinë, do të ishte një humbje e tmerrshme për kampin e demokracisë, dhe një kërcënim i drejtpërdrejtë për vlerat që mbrojmë dhe mënyrën e jetesës me të cilën jemi lidhur.
Një mundësi për Kinën
Pastaj është rasti më kompleks i Kinës. Ky vend ka qëndruar relativisht i matur që nga fillimi i Luftës në Gaza. Ajo që po ndodh, tregon brishtësinë e afrimit që nisi pak kohë më parë në Pekin midis Iranit dhe Arabisë Saudite, por që në fund mund të kthehet edhe në një dritare mundësie për Kinën.
Riadi dhe Teherani janë rivalë në rajon më shumë se kurrë parë. Pikërisht në momentin kur Irani, nëpërmjet Hezbollahut, tha se ndihet krenar për atë që ka arritur Hamasi, forcat detare të Arabisë Saudite shkatërruan në ajër raketat e dërguara nga Jemeni në Izrael nga rebelët Huthi (aleatët dhe milicia e mbështetur nga Irani).
Por përtej këtyre detajeve, Kina po sheh më larg, dhe mund të jetë duke menduar se SHBA-ja nuk mund të luftojë dot në 3 fronte në të njëjtën kohë:Ukrainë, Lindjen e Mesme dhe Azi.
Prova se SHBA mund ta bëjë këtë, ishte qëllimi i udhëtimit të fundit të Antony Blinken në Azi.
Një ditë pas samitit të ministrave të jashtëm të vendeve të G7-ës në Tokio, Sekretari i Shtetit u ndal enkas Seul për t’i ri-siguruar koreano-jugorët për mbështetjen e palëkundur të Uashingtonit. SHBA-ja mund të ripërtërijë angazhimet e saj në Evropë dhe Lindjen e Mesme, edhe duke mbetur një fuqi balancuese në Azi. Ndaj Kina nuk duhet të ushqejë asnjë iluzion të rrezikshëm.
Në historinë e Izraelit dhe të Lindjes së Mesme në përgjithësi, do të ketë një moment para dhe pas 7 tetorit 2023. Por lufta në Gaza i jep gjithashtu Uashingtonit, Moskës dhe Pekinit mundësinë për të testuar forcat dhe synimet e tyre përkatëse.
Burimi: Worldcrunch/ Përshtati: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




