Nga Federico Fubini – Në Rusi, Vladimir Putin po përgatit rizgjedhjen e tij formale në krye të detyrës në zgjedhjet e marsit 2024. Në Ukrainë, Volodymyr Zelensky u detyrua të anulonte rizgjedhjen e tij në detyrë. Po në qershor të vitit të ardhshëm, Bashkimi Evropian do të rinovojë parlamentin e tij.
Dhe në fund është edhe gara më e spikatur:më 5 nëntor 2024, amerikanët do të votojnë sërish për njeriun që do të drejtojë Shtëpinë e Bardhë, në një garë që aktualisht rrezikon të jetë e njëjta me atë të 2020-s pra midis Joe Biden dhe Donald Trump.
Secila prej këtyre ngjarjeve, do të ndikohet nga luftrat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme dhe secila prej tyre – edhe ato të imagjinuara apo tërësisht artificiale – do t’u japin atyre një drejtim. Vetëm vëzhgimi me kujdes i klimës në të cilën secili prej vendeve po përgatitet për këto procese, ofron të dhëna se si mund të duket panorama pas njëfarë kohe.
Edhe Putin i kishte të gjitha mundësitë të shmangte thirrjen e rusëve në kutitë e votimit: Ramzan Kadyrov, aleati i tij brutal çeçen, e kishte këshilluar tashmë publikisht që ta bënte diçka të tillë. Tek e fundit, rezultati është një përfundim i paramenduar, dhe “operacioni special ushtarak” do t’i kishte dhënë ndoshta pretekstin për ta pezulluar edhe këtë trill të fundit të demokracisë.
Por bosi i Kremlinit, nuk do të heqë dorë kurrë nga legjitimimi i zgjedhjes së një super-shumice për ta konsoliduar regjimin e tij në një gjendje lufte gjysmë të përhershme. Që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës, kontrolli totalitar ka qenë gjithnjë e më i fortë dhe ekonomia ruse është militarizuar.
Tani, përmes një plebishiti për veten e tij, diktatori rus po synon të mbajë de fakto një referendum në favor të asaj që ai e paraqet si një “betejë midis qytetërimeve”, në të cilën Rusia duhet të mbrohet përmes një kopjeje surrealiste të “Luftës së Madhe Patriotike”.
Ky është interpretimi i Andrei Kolesnikov, i cilësuar nga autoritetet vendase si një “agjent i huaj”, studiuesi i fundit nga Carnegie Eurasia Russia Center që jeton ende në Moskë.
“Gjatë fushatës zgjedhore – thotë Kolesnikov – do të mjaftojë që Putin të premtojë fitoren në atë që sipas tij përfaqëson si përplasje ekzistenciale me fuqitë që e rrethojnë Rusinë”.
Aleati i tij më i madh do të jetë indiferenca e votuesve. Sipas një sondazhi të qendrës së sondazheve Levada, më pak se gjysma e popullsisë e ndjek nga afër luftën në Ukrainë, por 70 për qind e mbështet ushtrinë ruse.
“Lufta është shndërruar në mënyrën në të cilën ekziston sistemi i Putinit”, thotë Kolesnikov. Sipas tij, tani regjimi tani është aq shumë i identifikuar me të, saqë pothuajse nuk mund të bëjë pa të për të legjitimuar veten, sidomos në kontekstin e sanksioneve ndërkombëtare.
Për Zelenskyn situata është në disa aspekte e ngjashme, por në drejtimin e kundërt. Partia e tij fitoi në vitin 2019, 67 për qind të vendeve në parlamentin e Kievit. Por tani është në sondazhe prapa me mbi 12 për qind. Deri pak javë më parë, Zelensky po punonte për të mbajtur zgjedhjet e reja në marsin e vitit të ardhshëm.
Me ligjin ushtarak në fuqi, ai e dinte se kishte kontrollin e mediave dhe rrugëve, ndërsa 9 milionë refugjatë brenda vendit dhe 6 milionë jashtë vendit, nuk kishin gjasa të votonin. Por Zelensky donte që votimi të certifikonte formalisht edhe për 4 vite të tjera pushtetin por edhe vizionin e tij për një luftë të gjithanshme deri në fitore, në vend se të rrezikojë të rrëzohet kur konflikti ta bëjë më në fund të mundur mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Presidenti ukrainas hoqi dorë nga plani i tij vetëm kur udhëheqësit evropianë i thanë se mbajtja e zgjedhjeve të parregullta në kushtet e gjendjes së luftës, nuk është në përputhje me fillimin e negociatave për ta futur Ukrainën në Bashkimin Evropian.
Por nëse ka diçka që zbulon kjo histori, ajo është se në dallim nga Putin, as presidenti ukrainas dhe as vendi i tij nuk mendojnë se mund të vazhdojnë përgjithmonë në një luftë të pafundme. Nëse kjo është ajo që ndodh përtej kufirit lindor të BE-së, është për t’u habitur pse mungon thuajse plotësisht ky debat në prag të zgjedhjeve evropiane.
Dhe kjo jo se nuk pyetet për Ukrainën apo Rusinë. Por ajo për të cilën gati nuk flitet është axhenda ekzistenciale, që e përmendi pak ditë më parë edhe Mario Draghi. Ish-kryeministri i Italisë tha se shpenzimet e mbrojtjes në Evropë janë kaq të fragmentuara, saqë, ndonëse kontinenti është i dyti vetëm pas Shteteve të Bashkuara për investime ushtarake, askush nuk e ka vënë re këtë.
Një fakt, të cilin guvernatori i ri i Bankës së Italisë Fabio Panetta e ka nënvizuar prej disa kohësh. “Në këtë mënyrë ne s’do të shkojmë gjëkundi”, tha Draghi të mërkurën e kaluar, duke bërë më pas një paralajmërim shumë të fortë: ”Ose Evropa do të bëhet një bashkim shtetesh më i thelluar dhe i aftë për të ndjekur një politikë të përbashkët të jashtme, të mbrojtjes dhe migrimit, ose unë kam frikë se nuk do të mbijetojë në ndonjë formë tjetër, përveçse si një treg i përbashkët”.
Megjithatë, as ish-presidenti i Bankës Qendrore Evropiane nuk po arrin ta prishë këtë herë përgjumjen që ka e kapluar unionin. Vendet evropiane, që janë gati të rizgjedhin parlamentin e tyre të përbashkët, po i shpenzojnë thuajse gjithë energjinë e tyre duke debatuar mes tyre mbi rregullat për kontrollin e njëri-tjetrit:mbi menaxhimin e shteteve të ardhshme të klubit (në teori, përfshirë Ukrainën), mbi financat publike dhe mbi politikat migratore që nuk ekzistojnë.
“Mbrojtja kundër armiqve të supozuar të brendshëm po e përthith gjithë forcën tonë”-paralajmëroi ekonomisti spanjoll Angel Ubide në një nga takimet e fundit të Ecofin. Ndërkohë, kufijtë e Evropës janë tashmë në flakë. Në Shtetet e Bashkuara, një ndjenjë e ngjashme në opinionin publik – lodhje dhe pafuqi përballë luftërave – po e dëmton Joe Biden, dhe po forcon tërheqjen e publikut ndaj vizionit izolacionist të Donald Trump.
Biden është i dëmtuar edhe nga fakti se të dyja luftërat po e bëjnë naftën dhe rrjedhimisht karburantin më të shtrenjtë për amerikanët. “Kompanitë e naftës po bëjnë më shumë para se Zoti!”- akuzon presidenti. Por këto slogane nuk mjaftojnë për të zhvendosur votat.
Mund të ndodhin ende shumë gjëra dhe ekuilibrat mund të ndryshojnë sërish, madje edhe pozitivisht. Por nëse është dikush që po përfiton politikisht nga luftërat e muajve të fundit, ai nuk duhet të kërkohet as në Evropë dhe as në Shtëpinë e Bardhë. Tani për tani përfituesit me fatlumë janë Vladimir Putin dhe Donald Trump.
Burimi: Corriere della Sera/ Përshtati: Gazeta Si
*Federico Fubini , gazetar i ekonomisë dhe kryeredaktor i Corriere della Sera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




