Nga Marek Grzegorczyk- Një paketë e re e rritjes ekonomike nga ana e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, lidh disbursimet e parave të gatshme me reformat sociale dhe ekonomike që kërkohet nga vendet aspirante. Nuk ka para pa reforma, e bëjnë shumë të qartë drejtuesit e Bashkimit Evropian.
Komisioni Evropian miratoi javën e kaluar një Plan të ri Rritjeje për Ballkanin Perëndimor, me synimin që rajoni të gëzojë disa nga përfitimet e anëtarësimit përpara aktit zyrtar, për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të përshpejtuar konvergjencën (përputhshmërinë) socio-ekonomike që është shumë të nevojshme.
Komisioni thotë se objektivi do të jetë dhënia mundësi e partnerëve që të nxisin reformat dhe investimet për të përshpejtuar ndjeshëm shpejtësinë e procesit të zgjerimit të unionit, si dhe rritjen e ekonomive të këtyre vendeve.
Për këtë, për periudhën 2024-2027 është propozuar një paketë e re lehtësuese e reformave dhe e rritjes ekonomike prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor. Pagesat do të bëhen vetëm pas përmbushjes së reformave të dakorduara.
“Me miratimin e Planit të ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, ne po i afrojmë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor me ato të BE-së. Potenciali është i jashtëzakonshëm. Ky plan rritjeje, mund të dyfishojë ekonominë e Ballkanit Perëndimor në 10 vitet e ardhshme.
Me kombinimin e tij të reformave dhe investimeve, ai do ta lejojë Ballkanin Perëndimor të përfitojë së shpejti nga fushat kryesore të tregut tonë të përbashkët, përfshirë lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe punëtorëve, nga zona e përbashkët të pagesave në euro, transporti, energjia dhe tregun e përbashkët dixhital”- tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Nuk ka para pa reforma
Plani i ri i rritjes bazohet në 4 shtylla kryesore, që synojnë rritjen e integrimit ekonomik me tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian, duke iu nënshtruar harmonizimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me rregullat e tregut evropian dhe hapjes së sektorëve dhe zonave përkatëse për të gjithë fqinjët e tyre në të njëjtën kohë, në përputhje me Tregun e Përbashkët Rajonal.
Po ashtu, ai synon nxitjen e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal, bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së, të cilat potencialisht mund të rritin me 10 për qind ekonomitë e tyre, dhe përshpejtojnë reformat themelore, duke mbështetur rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE, përmirësimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike, përfshirë tërheqjen e investimeve të huaja dhe forcimin e stabilitetit rajonal.
Shtylla e katërt, parashikon rritjen e ndihmës financiare për të mbështetur reformat përmes paketës së Lehtësimit të Reformave dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027, me një pagesë të kushtëzuar që partnerët e Ballkanit Perëndimor të përmbushin më parë reformat specifike socio-ekonomike dhe themelore.
Si pjesë e planit të rritjes, të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor do të ftohen të përgatisin një axhendë reformash bazuar në rekomandimet ekzistuese, përfshirë ato nga Paketa vjetore e Zgjerimit dhe Programet e Reformës Ekonomike të vendeve (ERP). Kjo axhendë reformash do të konsultohet, dhe më pas do të vlerësohet dhe miratohet nga Komisioni Evropian.
Përshpejtimi i përputhshmërisë
Përputhshmëria (konvergjenca) ekonomike, është një element thelbësor për afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Aktualisht, niveli i konvergjencës midis partnerëve të Ballkanit Perëndimor dhe vendete të BE-së, nuk po ecën mjaftueshëm shpejt.
PBB-ja në mesatare për frymë sa i përket fuqinë blerëse për partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor është midis 30-50 për qind të mesatares së BE-së. Integrimi me tregun e përbashkët të BE-së, ka qenë shtytësi kryesor i rritjes ekonomike për të gjitha vendet që iu bashkuan BE-së.
Ndikimi pozitiv në PBB-në e një vendi, dhe nivelet e të ardhurave që rrjedhin nga integrimi me tregun e përbashkët të unionit, është treguar qartazi në të kaluarën. “Plani i ri i Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Lehtësia e re e Reformave dhe Rritjes bazohen në Planin Ekonomik dhe Investues (PIE) prej 30 miliardë eurosh, i nisur me sukses që në vitin 2020”- thotë Oliver Varhelyi, Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin.
“Plani ynë i ri i rritjes, është një katalizator unik për të përshpejtuar integrimin e vërtetë socio-ekonomik në rajon. Ndërsa po përshpejtojmë zbatimin e reformave themelore, ne do të hapim tregun tonë të përbashkët për Ballkanin Perëndimor.
Kjo do të reduktojë hendekun ekonomik midis Bashkimit Evropian dhe partnerëve tanë, dhe do t’i përgatisë ata për konkurrencën në tregun e përbashkët të BE-së, në mënyrë që ata të kenë mundësi të korrin që në momentin e parë përfitimet e anëtarësimit të tyre në union.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, beson se plani mund të ndihmojë Serbinë dhe Kosovën të normalizojnë marrëdhëniet, duke pasur parasysh nxitjen për arritjen e përparimit në reformat përkatëse themelore socio-ekonomike.
“Kjo ofertë, mund të përshpejtojë progresin në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Secili prej partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor, ka mundësi të nxisë rritjen ekonomike dhe të fitojë qasje në Tregun e Përbashkët Evropian edhe përpara zgjerimit”- thekson Borrell.
Burimi: Emerging Europe/Përshtati Gazeta Si
*Marek Grzegorczyk është një reporter në Emerging Europe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




