Nga Gazeta ‘SI’ – Departamenti Amerikan i Thesarit do të asistojë Shqipërinë në zhvillimin e tregut kapital, bursën.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, zhvilloi një takim me përfaqësues të lartë të Departamentit Amerikan të Thesarit, Robert Burch dhe Charles Anderson, me synim kthimin e tij në një alternativë të qëndrueshme financimi.
Zyra e Asistencës Teknike (OTA) e Departamentit Amerikan të Thesarit do të ofrojë ekspertizë për autoritetet shqiptare edhe në kuadër të zbatimit të planit të veprimit të Dokumentit të Politikave “Për krijimin e një mjedisi mundësues për zhvillimin e tregjeve të kapitalit në Shqipëri, 2023-2027”, i miratuar në prill 2023 nga Këshilli i Ministrave. Ministri Mete vlerësoi se mbështetja teknike e Zyrës së Asistencës Teknike do të jetë me rëndësi për zhvillimin e mëtejshëm të kuadrit rregullator për tregjet e kapitalit në Shqipëri.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e OTA-s shprehën vlerësime për kuadrin e ri ligjor të tregjeve të kapitalit, të përafruar në masë të gjerë me Direktivat Evropiane dhe shprehën gadishmërinë për të ofruar asistencën e tyre.
Ligji 62/2020 “Për tregje e kapitalit” dhe ngritja e plotë e infrastrukturës së tregtimit dhe pas tregtimit kanë krijuar kushtet për zhvillimin e mëtejshëm të tregjeve të kapitalit.
Në këtë kuadër, Dokumenti i Politikave parashtron disa objektiva kryesorë për zhvillimin e këtij tregu, si: rritja e pjesëmarrjes së emetuesve, zgjerimi i bazës së investitorit dhe zgjerimi i gamës së instrumenteve financiare, eficienca dhe transparenca e tregut të kapitaleve, si edhe zhvillimi i tregut sekondar të Titujve të Qeverisë.
Objektivi i përgjithshëm është promovimi i tregjeve eficiente të kapitalit nëpërmjet nxitjes së zhvillimit të këtyre tregjeve dhe mbikëqyrjes efektive të tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.