Nga Gazeta ‘Si- Komisioni i Veprimtarive Prodhuese dhe Tregtisë miratoi në parim pr.buxhetin e vitit 2024 dhe paketën fiskale.
Deputetët pranuan disa ndryshime në zërat e shpenzimeve për tre ministri të linjës, ndër të cilat mbështetja për një shtesë prej 6 miliardë lekësh për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, të cilat do të shkojnë për sektorin e energjisë dhe gazit.
“Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës ka kërkuar shtesë prej 6 miliardë lekë për energjinë dhe gazin, ku 5 miliardë lekë do të shkojnë për KESH me qëllim menaxhimin e efekteve të mundshme të çmimit në tregjet e energjisë për vitin 2024 apo pasojat e motit në situatën që po kalojmë si dhe 1 miliardë lekë për gazsjellësin Fier-Vlorë që do të lidhet me projektin TAP”, tha Arben Pëllumbi, Kryetari i Komisionit.
Ndryshimet e tjera që u pranuan ishin për Ministrinë e Turizmit dhe të Bujqësisë.
“Ministrja e turizmit, Mirela Kumbaro kërkoi mbështetjen e komisionit për ndryshimet brenda tavaneve të programeve buxhetore për ministrinë e saj që në shpenzimet korente në programin ‘Zhvillimi i turizmit’ në llogarinë ekonomike 602 mallra dhe shërbime, të zbriten 200 mln lekë dhe të shtohen në të njëjtin program, në llogarinë 604, në po të njëjtën vlerë”, deklaroi më tej ai.
Pëllumbi shtoi se ndryshime të rëndësishme janë bërë edhe në projektligjin për “tatimin mbi vlerën e shtuar” për sektorin bujqësor.
“Ndryshimi përjashton nga TVSH mëshqerrat dhe kjo është sigurisht mjaft pozitive në nxitjen e prodhimeve blegtorale në vend, apo të bletëve dhe insekteve që zëvendësojnë pesticide. Kjo është një risi dhe vlen të mbështetet nga të gjithë ne”, citoi ai.
Edhe ekspertët e bujqësisë e kanë vlerësuar pozitivisht heqjen e TVSH-së për importin e kafshëve të gjalla dhe insekteve, por shtojnë se duhet bërë më shumë për t’u stimuluar prodhimi vendas, që fermerët të kenë mundësi të financojnë fermat e tyre.
Ndryshimet e kërkuara nga ministritë do të kalojnë edhe në filtrin e miratimit nen për nen të projektbuxhetit dhe do të përfshihen në raportin që dorëzohet në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.