Analize

Çfarë pritet të bëjë BE pas publikimit të paketës së zgjerimit?

Nga Alexandra Brzozowski-Me publikimin e raportit të zgjerimit të Komisionit Evropian, topi është tani në fushën e udhëheqësve të BE-së, të cilët duhet të vendosin se si të vazhdojnë më tej me procesin e anëtarësimeve të reja, dhe në lidhje me listën e reformave të brendshme që duhen kryer.

Në një hap vërtet historik, Komisioni Evropian rekomandoi të mërkurën hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Ukrainën – pavarësisht vazhdimit të luftës të Rusisë, që ka pushtuar një pjesë të territorit – por edhe me Moldavinë.

Sa i përket vendeve të Ballkanit Perëndimor, Brukseli prezantoi Planin e Rritjes Ekonomike, që parashikon shtimin e ndjeshëm të fondeve të ndihmës dhe granteve, ndërsa Bosnje Hercegovinës iu var para fytyrës një karotë, në formën e një fraze të mjegullt për të pasur një shans të mundshëm në të ardhmen ende të largët për hapjen e bisedimeve të pranimit.

Në total, pavarësisht gjithë mangësive të listuara për 10 vendet kandidate për në BE, kjo mund të jetë paketa më pozitive prej një kohe të gjatë. Dhe hapi tjetër që duhet hedhur, është që liderët e BE-së të mendojnë dhe (me shumë gjasa) të mbështesin rekomandimin e Komisionit për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, kur ata të takohen për samitin e tyre të fundvitit në datat 14-15 dhjetor.

Ai do të jetë një samit shumë i rëndësishëm, ku zyrtarët dhe diplomatët e BE-së, duhet të bien dakord mbi një nga zhvillimet më të rëndësishme të dekadave të fundit. Çështja kyçe do të jetë mbi vendimin për çeljen e bisedimeve për anëtarësimet e reja në union.

Por është e sigurt se në qendër të vëmendjes do të zhvendoset beteja e ashpër mbi një rishikim të propozuar të buxhetit të BE-së, që përfshin 50 miliardë euro ndihmë të re për Ukrainën.

Kërcënimi i një aleance të mundshme midis Hungarisë dhe Sllovakisë, për t’i shtyrë për më vonë prioritetet e Brukseit, premton diskutime të gjata që mund të përhapen midis 2 çështjeve temave, dhe me gjasë mund të shohim përpjekjet e Budapestit dhe Bratislavës për të imponuar  një lloj “pakete konsensuale”.

Madje vëzhguesit më me përvojë të samiteve të BE-së, sugjerojnë se mund të ketë një vendim për t’i zgjatur bisedimet në fundjavë, me synim ndërmjetësimin e një marrëveshje mbi pjesën më të madhe të temave që janë në axhendën e mbledhjes.

Në lidhje me çështjen e zgjerimit të unionit, Euractiv e kupton se nëse do të ketë një marrëveshje politike dhe dritë jeshile deri në dhjetor, puna përgatitore teknike për një kornizë negociuese mund të fillojë menjëherë, dhe Komisioni Evropian do të dërgojë menjëherë ekipet e tij negociuese në Kiev dhe Kishinau.

Progresi i zbatimit të rekomandimeve për Ukrainën dhe Moldavinë, do t’u komunikohet më pas liderëve të BE-së në marsin e vitit të ardhshëm, siç edhe e konfirmuan vetë zyrtarët e BE-së këtë javë. Ndërkohë, procesi i shqyrtimit nga BE, do të vlerësojë se cilat ligje duhet të përputhen me legjislacionin aktual të bllokut, të ashtuquajturin Acquis, një proces që zakonisht zgjat nga 1-2 vjet.

“Por ne duam të ecim më shpejt, dhe mendojmë se mund ta arrijmë këtë për 6 muaj”- u tha gazetarëve një zyrtar i Bashkimit Evropian. Sipas disa zyrtarëve të Brukselit që kanë informacione të detajuara mbi këtë çështje, Konferenca e parë Ndërqeveritare (IGC) – të paktën për Ukrainën – mund të mbahet edhe menjëherë pas marsit 2024.

Nuk ka asnjë dyshim, se afati i përmendur së fundmi, viti 2030, deri në të cilin BE-ja mund të shohë hyrjen e anëtarëve të rinj, mbetet kryesisht një ëndërr, pasi shumica e vendeve po përballen me një rrugë të gjatë dhe të mundimshme që kanë përpara. Por sinjali është i qartë. Tani i takon BE-së që të hedhë hapat e radhës. Gjatë muajve të ardhshëm, vendet e unionit duhet të merren seriozisht me debatin e tyre mbi reformat  e brendshme, dhe sipas shumë prej kryeqyteteve të bllokut, kjo duhet të ndodhë paralelisht për të mbajtur gjallë vrullin e zgjerimit.

Puna për këtë pritet që të nisë që javën e ardhshme, kur Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel do të organizojë një seri darkash me liderët e BE-së, për të vijuar bisedimet jozyrtare që nisën që në samitin e Granadës në fillim të muajit tetor, për të diskutuar mbi axhendën strategjike për ciklin e ardhshëm institucional.

Gjithsesi, shumë diplomatë të Bashkimit Evropian presin që një diskutim serioz rreth reformave të vetë bllokut, të ndodhë vetëm pasi samiti i dhjetorit të bjerë dakord mbi statusin e qartë të projektit të zgjerimit të radhës. Ndërkaq, shumë gjëra do të varen nga përbërja ende e pasigurt e strukturës së ardhshme institucionale pas zgjedhjeve të qershorit të ardhshëm.

Megjithatë, një gjë është e padiskutueshme:Në çdo rast, Kremlinit po i afrohet një katastrofë gjeopolitike. Anëtarësimi në BE i Ukrainës dhe Moldavisë, do të ishte një humbje për Vladimir Putinin, ashtu si humbja potencialisht e ngadaltë por e qëndrueshme e kontrollit të Rusisë mbi disa vende në Ballkanin Perëndimor.

Pushtimi i Ukrainës – një luftë që synonte të parandalonte çdo zgjerim të ardhshëm të BE-së (dhe NATO-s) – e rigjallëroi atë projekt.

Burimi: Euractiv/Përshtati Gazeta Si

Shënim: Alexandra Brzozowski, reportere e Evropës dhe Mbrojtjes Globale që nga viti 2017. Mbulon çështjet e jashtme të BE-së, zgjerimin, politikën e mbrojtjes dhe NATO-n.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë