Nga James Holmes – Shpresa. Kjo është ajo që identifikoi filozofi Eric Hoffer, si nxitësin e lëvizjeve masive si Hamasi, apo të partive komuniste kineze dhe sovjetike në kulmin e tyre revolucionar. Qasja e tij është kundërintuitive.
Ajo kontraston me imazhet që shoqërojnë zakonisht lëvizje të tilla, në të cilat adhuruesit e flaktë hedhin parulla dhe tundin krahët.
Ju mund të mendoni se në parim është urrejtja, dhe jo shpresa, ajo që përndez lëvizjet masive. Megjithatë, përkufizimi i Hoffer ka kuptim. I paraqitur në traktatin e tij klasik “Besimtari i vërtetë”, ai i ndihmon ata që përballen me lëvizjet e mëdha shoqërore që të njohin mirë rivalët. Dhe njohja e armikut, është hapi i parë i domosdoshëm drejt fitores.
Si krijohen besimtarët e vërtetë
Hoffer ishte një amerikan origjinal, pjesë e brezit “Grapes of Wrath” (Farat e zemërimit) të viteve 1930, të cilët migruan në malësitë plot diell të Kalifornisë. Ai ngarkonte dhe shkarkonte mallra në San Francisko, kur zbuloi se kishte aftësi për të filozofuar. Ndaj nisi të shkruante, dhe në fund arriti të bëhet ndihmës/profesor në Universitetin Berkeley në Kaliforni.
Ky filozof i vetë-krijuar u nderua me Medaljen e Lirisë pak para vdekjes së tij në vitin 1983. Hoffer i katalogon përbërësit e lëvizjeve masive, dhe shpjegon se si ato punojnë së bashku për të ndezur atë që ai e quan shpresë ekstravagante në mesin e besimtarëve të mundshëm.
Përbërësi i parë është pakënaqësia. Besimtarët e vërtetë ushqejnë shumë ankesa në lidhje me mënyrën se si janë aktualisht gjërat. Hoffer e nis analizën e tij, duke pretenduar se qeniet njerëzore priren të kërkojnë jashtë tyre “forcat formësuese të ekzistencës sonë”. Ata e vëzhgojnë botën, dhe janë ose jo të kënaqur me vendin e tyre në të.
Kështu “njerëzit me ndjenjën e përmbushjes, e mendojnë atë një botë të mirë, dhe do të donin ta ruanin ashtu siç është, ndërsa të zhgënjyerit janë në favor të ndryshimeve rrënjësore”. Qëndrimet ndaj ndryshimit, përfaqësojnë ndryshimin kryesor midis konservatorëve dhe armiqve të status quo-së.
Konservatorët angazhohen të mbrohen kundër ndryshimit të një rendi të dobishëm. Ndërkohë të zhgënjyerit – rekrutët e mundshëm në një lëvizje masive – duan të shkatërrojnë një status quo që është për ta e neveritshme, dhe ta zëvendësojnë atë me diçka krejtësisht të ndryshme. Ky është një synim thelbësor i çdo revolucioni.
Fuqizimi i kauzës së çmendur
Së dyti, bashkë me lëvizjen vjen një ndjenjë fuqie. Pra për të nxitur dëshirën për ndryshim, duhet jo vetëm pakënaqësia ndaj rendit ekzistues, por edhe ndjenja se lëvizja që po mund ta zhdukë atë rend. Kjo nuk është fuqia aktuale, sepse në fillimet e tyre, këto lëvizje kanë pak ose aspak forcë.
Por gjithsesi është një ndjenjë fuqie. Ata besojnë se mund të ndjekin synime të mëdha duke pasur një zell të mjaftueshëm, një veprim të bashkuar dhe shumë këmbëngulje. Analiza e Hofferit i bën jehonë shprehjes së famshme të Wordsworth mbi atmosferën që përshkoi Francën në fillimin e Revolucionit Francez: Lumturi në atë kohë, ishte që në agimin e ditës së nesërme të ishe ende gjallë. Por të ishe i ri, ishte vetë Parajsa!”.
Revolucionarët francezë ishin të frustruar me regjimin e vjetër, e bindën veten se mund të grumbullonin fuqinë e duhur për ta përmbysur atë dhe arritën atë që dukej si e pamundur. Çështja kryesore është si të binden njerëzit që të sfidojnë shanset që i kanë kundër. Hoffer lë të kuptohet se mungesa e përvojës, është një virtyt në mesin e besimtarëve të vërtetë të kauzës.
Sepse në fund të fundit, përvoja mund t’i dekurajojë ndjekësit e mundshëm që t’i bashkohen një nisme, e cila ka shumë pak shanse të ketë sukses. Por nëse nuk e dini se ajo për të cilën po përpiqeni është e pamundur të arrihet, mund të nxitoni që ta provoni. Dhe të paktën një herë, një kauzë në dukje e çmendur, mund të ketë sukses.
Besimi dhe fetarizimi i kauzës
Së treti, adhuruesit e lëvizjes masive duhet të kenë besim tek e ardhmja. Hoffer vëren se besimi mbështet edhe dëshirat e matura për ndryshime gjithnjë e më të mëdha. Por ekziston një element mijëvjeçar jo vetëm për lëvizjet fetare, por edhe për lëvizjet laike që përpiqen të çrrënjosin rendin ekzistues.
Lëvizjet fetare priren t’u premtojnë besimtarëve shpërblime në jetën e përtejme. Ndërkohë lëvizjet laike premtojnë të ndërtojnë parajsën në Tokë, duke ofruar asete që ndryshojnë nga lëvizja në lëvizje, në varësi të llojit të botës së re të guximshme që dëshiron të krijojë. Është thelbësore të përcaktohet natyra e së ardhmes, në të cilën besimtarët e vërtetë vendosin besimin e tyre.
Atributi i katërt themelor është lidershipi. “Ata që do të transformojnë një komb apo botën, nuk mund ta bëjnë këtë duke nxitur dhe ruajtur pakënaqësinë apo duke treguar se i dëshirojnë ndryshimet e synuara ose duke i detyruar njerëzit të nisin një mënyrë të re jetese”- thekson Hoffer.
Apelet racionale janë të pamjaftueshme, për të mos thënë kundër-produktive. Në vend të kësaj, udhëheqësit aspirantë “duhet të dinë të ndezin dhe të ushqejnë një shpresë të madhe”. “Dhe nuk ka rëndësi, nëse kjo është shpresa e ndërtimit të një mbretërie qiellore, e parajsës në Tokë, e plaçkitjes dhe pasurimit, e arritjeve përrallore apo sundimit botëror”-thotë ai.
Në këtë mënyrë, detyra qendrore e udhëheqësit të një lëvizjeje masive është “fetarizimi”, një term që tregon “artin e shndërrimit të qëllimeve praktike në kauza të shenjta”. Një udhëheqës frymëzues di se si të zgjojë pasionet e besimtarëve, duke kërkuar prej tyre një “guxim të pamatur”.
“Ata që mbajnë ende shpresë, mund të marrin forcë nga burimet më qesharake të pushtetit, nga një slogan, një fjalë, një buton”- thekson filozofi. Një sërë shkaqesh i nënshtrohen fetarizimit. Nacionalizmi është një nga shtytësit kryesor për përpjekjet revolucionare.
Për shembull, vëren filozofi, “modernizimi fenomenal i Japonisë, nuk do të ishte ndoshta i mundur pa frymën rigjallëzuese të nacionalizmit japonez”.
Marksizëm-leninizmi është një tjetër shembull. Hoffer ia atribuon triumfin e Partisë Komuniste Kineze Luftës Civile atje, dhe aftësisë së Maos për të elektrizuar ndjenjat në mesin e fshatarësisë, gjë që nuk mundi ta bënte udhëheqësi nacionalist Chiang Kai-shek. Dhe feja ka nxitur lëvizjet masive që nga kohërat e lashta, nga Kryqëzatat deri tek sulmet e 11 Shtatorit.
Mposhtja e një lëvizjeje masive
Kjo është pra diagnoza e Eric Hoffer mbi atë që gjallëron lëvizjet masive. Ai nuk e shpreh në këtë mënyrë, por unë mendoj se ai do të pajtohej me idenë që shpresa ekstravagante është produkt i shumëzimit – dhe jo i mbledhjes – i faktorëve që ai rendit.
Ai vjen nga shumëzimi i shkallës së zhgënjimit me status quo-në me ndjenjën e fuqisë së ndjekësve, besimin e tyre në të ardhmen dhe me aftësinë e liderëve të tyre për fetarizkim. Nëse po, Hoffer na tregon rrugën drejt një kundër-strategjie:Mbrojtësit e status quo-së, mund të mposhtin një lëvizje masive, duke çuar në zero vetëm një nga këta faktorë.
Tek e fundit, edhe numri më i madh i shumëzuar me zero bëhet zero. Kuptohet, mund të jetë e pamundur të zhduket shpresa tek rrethi i brendshëm i besimtarëve të vërtetë. Por mund të jetë e mundur të shkurajohen mbështetësit që janë më pak të përkushtuar ndaj kauzës.
Nëse mungesa e përvojës e ndihmon një lëvizje që të tërheqë mbështetës, për shembull përvoja e disfatës së përsëritur ushtarake, duhet t’i bëjë të lëkunden më pak fanatikët. Shpresa e madhe do të zbehet, duke dobësuar përpjekjet e lëvizjes. Disa adhurues mund ta braktisin krejtësisht lëvizjen, duke e thjeshtuar detyrën e shtypjes së fanatikëve. Pra, për të mposhtur një lëvizje masive, duhet të studioni psikologjinë që e bën atë të fuqishme.
Burimi: “19 Forty Five”/Përshtati Gazeta Si
Shënim: James Holmes është drejtues i Strategjisë Detare në Kolegjin e Luftës Detare, SHBA.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




