Gazeta Si – Në ditën e pyetjeve të dëshmitarëve në GJKKO, Fredi Beleri, i akuzuar për korrupsion zgjedhor, ka qenë vetë i pranishëm në seancë.
Në sallë ka qenë i thirrur edhe shefi i komisariatit Himarë, Ermal Ajdini, i cili ka deklaruar se bashkëpunëtorin e drejtësisë, Arsen Rama, e ka njohur para rastit të Belerit dhe se ai në prill e ka marrë në telefon dhe i ka thënë se kandidati për kryebashkiak në Himarë i ka kërkuar vota për të.
SPAK kërkoi që dëshmitari Arsen Rama, i cili bashkëpunoi me prokurorinë të dëgjohet në një proces me dyer të mbyllura, pasi ka dyshime që mund t’i cënohet siguria dhe se më herët u kanë djegur makinën. Arsen Rama ka qëndruar përballë gjykatës për rreth 1 orë, ku ka dhënë deklarimet e tij.
Ai është personi, i cili i tha hetuesve në Prokurorinë e Vlorës se shtabi elektoral i Alfred Belerit po blinte vota në zgjedhjet lokale.
Ai pranoi të kryente takime të monitoruara nga agjentët dhe të përgjonte Belerin, për të cilin SPAK thotë se është provuar që ka ofruar nga 5 mijë Lekë në 50 euro për një votë.
I pranishëm për të dhënë deklarimet e tij, ishte edhe shefi i Policisë Himarë, Ermal Ajdini, i cili ka dhënë detaje për mënyrën se si kryhej shit-blerja e votave në Himarë, por edhe në zonat përreth.
Përballja mes Belerit dhe Ermal Ajdinit
Fredi Beleri: A keni dijeni të ketë përgjime pa autorizim të prokurorit?
Ermal Ajdini: Në dijenin time jo, te gjitha përgjimet janë kryer me autorizim të organeve kopetente.
Fredi Beleri: Kishit urdhër për të përgjuar të gjithë zyrën time elektorale?
Ermal Ajdini: Kemi përgjuar subjektet që na ishin autorizuar nga prokurori.
Fredi Beleri: Sa lista ka dorëzuar Rama?
Ermal Ajdini: Ka dorëzuar atë listë që ju i keni thënë në telefon, një në zyrë njërën kopje e ka dorëzuar tek ne. Nuk i mbaj mend emrat e listës.
Në listën e dëshmitarëve ishte edhe Gligor Mëkuri, që u shpreh në gjykatë se puna e tij është të mbledhë kanoçe dhe as e kishte idenë se emri i tij ishte në listë.
Gligor Mërkuri: Unë mbledh kanoçe, nuk e dija që e kisha emrin në listë. Më thanë që të votoja për Belerin do më jepnin 100 mijë lekë. Ndërsa për gruan dhe mamanë edhe njëqind të tjera. Lekët do m’i jepte Niko Panajoti që e kam të afërt të nënës. Ne nuk i morëm lekët sepse nuk votuam.
Beleri u arrestua dy ditë para zhvillimit të zgjedhjeve lokale, nga të cilat doli fitues me diferencë të vogël votash, në përballjen me socialistin Jorgo Goro.
Beleri vetë ka mohuar akuzat dhe kërkon të betohet në mënyrë që të marrë detyrën si kryebashkiak nga qelia. Kërkesa e tij për t’u betuar kaloi një ping-pong gjyqësor, teksa Gjykata e Posaçme dhe ajo e Durrësit refuzuan të shprehen duke i kërkuar Gjykatës së Lartë të vendos cila do e shqyrtojë kërkesën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




