Drejtësia

GJKKO rrëzon Belerin për përjashtim të trupës gjykuese, nis pyetja e dëshmitarëve

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka nisur këtë të martë pyetjen e dëshmitarëve të SPAK-ut në procesin ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i akuzuar për korrupsion në zgjedhje.

Po sot, GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Fredi Belerit për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka si dhe të gjithë trupës gjykuese.

Ndërkohë, Gjykata e Lartë ka përcaktuar Gjykatën e Posaçme si kompetente për të shqyrtuar kërkesën për leje të posaçme për Fredi Belerin për t'u betuar si kryebashkiak i zgjedhur.

Dëshmitari i parë në radhë, është Arsen Rama, personi që pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë, për veprimet e simuluara, duke dokumentuar bisedat për shitblerje votash para zgjedhjeve të 14 majit.

Me kërkesë të prokurores së çështjes, pyetja e Arsen Ramës, do të zhvillohet me dyer të mbyllura. Sipas prokurores së SPAK, Dorina Bekjo, dëshmitari Rama dhe familjarë të tij janë kanosur pas arrestimit të Belerit.

Në lidhje me dëmtimin e mjetit të bashkëjetueses së Ramës është bërë një kallëzim në prokurorinë e Vlorës.

Sipas prokurores, dëshmia e Ramës përmban të dhëna sensitive dhe publiciteti do ta cenonte. Ndërsa avokatët kërkuan një dëshmi publike.

Prokuroria e Posaçme e akuzon Belerin se ka blerë vota para zgjedhjeve lokale në Himarë, duke u dhënë qytetarëve nga 5 mijë lekë.

Beleri u arrestua 2 ditë përpara zgjedhjeve të 14 majit në të cilat rezultoi fitues. Ai ka kërkuar me ngulm të lejohet të bëjë betimin, por kërkesa është refuzuar në të gjitha shkallët e gjyqësorit.

Për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi, ndaj të cilit është dhënë masa e sigurisë "detyrim paraqitje".


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë