Drejtësia

Zbardhet vendimi i GJKKO-së: Masat ndaj Berishës nuk përbëjnë heqje të lirisë. Refuzoi të marrë njoftimin

Gazeta Si – Në vendimin e zbardhur për masën ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili aktualisht po përballet me akuzën për korrupsion lidhur me privatizimin ish-kompleksit “Partizani” në kryeqytet, GJKKO thotë se masat ndaj tij nuk përbëjnë heqje të lirisë, ndryshe nga çfarë ka pretenduar ish-kreu i qeverisë vazhdimisht.

Sipas tyre për këtë masë nuk ka nevojë të kërkohet autorizim nga Kuvendi, ndërsa shtojnë se ish-kryeministri Berisha ka refuzuar të marrë njoftimin për masën ndaj tij.

Në vendimin e arsyetuar, GJKKO sqaron se masa e ndalimit për të dalë jashtë shtetit  nuk përbëjnë një heqje të lirisë personale, prandaj thekson se nuk kanë pasur detyrimin për t’iu drejtuar organit të Kuvendit.

Në faqen 2, gjykata thekson se oficerët e policisë tentuan ta njoftojnë Sali Berishën më 22 tetor në selinë e PD, për mesën e vendosur ndaj tij, por përfunduan në zyrën e Flamur Nokës deri rreth mesnatës, pa arritur të kontaktojnë kreun e rithemelimit.

Policia kishte vendosur shërbimet e saj në adresën zyrtare të Sali Berishës, në njësinë nr.2, rruga Mustafa Matohiti.

Rreth orës 00.25 të datës 22 tetor 2023, shërbimet e policisë kanë njoftuar se Sali Berisha ka hyrë në banesën që ndodhej në katin e tetë dhe kanë trokitur në derën e banesës. Dera është hapur nga Shkëlzen Berisha, por edhe në këtë rast, kontakti me ish-kryeministrin ka qenë i pamundur.

Ky shtetas, u ka thënë se babai i tij nuk donte të takohej me asnjeri dhe se orari ishte i papërshtatshëm, duke u lënë si mundësi paraqitje ditën e nesërme, datë 22 tetor 2023. Në orën 09.45 të kësaj date, oficerët kanë shkuar sërish në këto ambiente në katin e tetë, ku dera është hapur nga Argita Malltezi.

Ajo u tha policëve se babai i saj nuk jetonte aty, por në katin e katërt të po asaj ndërtese. Sipas orientimit të saj, oficerët shkuan në banesën përkatëse, ku i ranë ziles disa herë por nuk ka dalë asnjë person. Në këto kushte, janë larguar.

Në vendim thuhet se në kushtet kur Sali Berisha refuzonte marrjen në dorëzim të vendimit, një oficer policie është urdhëruar të dokumentojë materialet mediatike ku vihet re dijenia e Sali Berishës lidhur me masën e caktuar ndaj tij.

Në dokument, specifikohet edhe sjellja e avokatëve, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi, të cilët u larguan nga salla, “po priren drejt abuzimit të mbrojtjes”, për këtë arsye ish-kryeministrit iu caktua një avokat nga shteti.

I akuzuar për korrupsion pasiv në bashkëpunim për aferën e privatizimit të klubit ‘Partizani”, ndaj Berishës është caktuar detyrimi i paraqitjes në gjykatë dy herë në muaj, si edhe i është ndaluar të udhëtojë jashtë territorit shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë