Drejtësia

Berisha kërkon shuarje të masave të sigurisë, avokatët: Të përjashtohet gjyqtarja Irena Gjoka

Gazeta Si - Avokatët e Sali Berishës, kanë qenë këtë të mërkurë në SPAK, ku kërkuan përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka dhe shuarjen e masave të sigurisë ndaj ish-kryeministrit, i akuzuar për korrupsion për aferën e privatizimit të klubit sportiv “Partizani”.

Genc Gjokutaj, tha se seanca është shtyrë për në orën 15:00, për të shqyrtuar sakaq kërkesën e tyre, ndërsa shtoi se gjyqtarja duhet të kishte hequr dorë nga çështja tashmë.

“Bëmë kërkesë paraprake për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Është depozituar kërkesa, është zhvilluar me kërkimin tonë, pra humbjen e fuqisë së masës së sigurimit. Janë bërë prapsimet e prokurorit dhe është ndërprerë seanca për të shqyrtuar kërkesat për përjashtim edhe për të na dhënë një kopje të akteve të prokurorisë në lidhje me objektin e kërkimit. Seanca është shtyrë për orën 15:30”.

I pyetur se cilat janë argumentet me të cilat ata kërkojnë përjashtimit e gjyqtares në shqyrtimin e kësaj kërkese, Gjokutaj tha: “Absolutisht ajo ka detyrë të heqë dorë, ajo nuk e bëri këtë veprim, pasi në vitin 96 kjo gjyqtare është shkarkuar nga detyra nga KLD-së e asaj kohe, e cili kryesohej nga zoti Berisha në cilësinë e kryetarit të KLD, si President i Republikës”.

Sa i takon kërkesës për shuarje të masës ndaj kryedemokratit Berisha, avokati Gjokutaj theksoi se kjo vjen pasi “gjykata nuk ka zbardhur vendimin dhe për pasojë nuk ka bërë ekzekutimin”.

Në kërkesën e bërë publike një ditë më parë, avokatët e konsideruan moszbardhjen e vendimit si shkelje flagrante të ligjit.

Nga ana tjetër, Gjykata e Posaçme zbardhi një ditë më parë vendimin e arsyetuar, ku renditi lëvizjet e policisë gjyqësore për njoftimin e ish-Kryeministrit, deri në momentin që gjykata ka vlerësuar marrjen e dijenisë për shkak të reagimeve të tij publike ndaj masës së sigurisë.

Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit dhe atë të detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore me dyshimet e përfshirjes në korrupsion pasiv.

Të hënën në 6 nëntor, Berisha vendosi të mos paraqitej përballë oficerit të policisë gjyqësore, duke e konsideruar masën si antikushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë