Analize

Lufta e re e Ftohtë mund të shndërrohet në një luftë të ‘nxehtë’. Po skadon koha për të shmangur katastrofën

Nga Tobias Ellwood-Presidentët dhe kryeministrat nuk heqin dorë nga gjithçka për të kryer vizita të improvizuara në zonat e luftës, përveçse nëse bota është vërtet në telashe.

Jo shumë kohë pas rikthimit të presidentit Joe Biden nga Izraeli, Departamenti i tij i Shtetit, lëshoi ​​një alarm global për të gjithë amerikanët kudo jashtë vendit “që të tregojnë një kujdes maksimal”.

Ky apel është një kujtesë e  fuqishme se sa e brishtë është bërë bota jonë. Shpërthimi i luftës në Lindjen e Mesme, është një tjetër “dritë e kuqe” në panelin e komandimit të rendit global, e cila nënvizon edhe njëherë se sa shumë nën presion po vendoset ky sistem.

Por përgatituni për gjëra edhe më të rënda. Autokratët do të kenë llogaritur se nuk ka kohë më të mirë sesa sot që nga rënia e Murit të Berlinit për të çuar përpara seriozisht axhendat e tyre luftarake.

Në fakt, pas 3 dekada paqe relative (dhe një vetëkënaqësie në rritje), ne duhet ta pranojmë më në fund se sa e paqëndrueshme është bërë bota jonë.

Ne po përballemi aktualisht me ndryshime serioze në qendrat e gravitetit gjeopolitik, ekonomike dhe ushtarake. Në Lindje, autoritarizmi në rritje dhe formimi i aleancave të reja, po ndjekin në mënyrë aktive një interpretim shumë konkurrues të rendit global.

Supozimi ynë arrogant se pas mijëra vitesh luftë, kishim krijuar një strukturë utopike – një qeverisje globale liberale demokratike – na bëri të besojmë se u mbajt nën kontroll, edhe pse nuk u mposht tërësisht, koncepti i tiranisë shtetërore.

Por siç e pamë më 7 tetor, fuqia perëndimore nuk mund t’i pengojë njerëzit që të çojnë përpara axhendën e tyre. Prej vitesh despotë dhe diktatorë, që kanë abuzuar me kushtetutat e vendeve të tyre për të mbajtur pushtetin, nisën të vlerësonin mungesën e një presioni serioz ndaj tyre (përtej denoncimeve publike) kur e zgjeruan ndikimin përtej kufijve të tyre.

Rusia aneksoi një pjesë të Gjeorgjisë ndërsa Kina dhjetëra ishuj, përpara fillimit të pushtimit të Ukrainës. Në një stil më delikat, si Xi ashtu edhe Putin e kanë joshur Afrikën dhe Azinë të bjerë në rrjetën e tyre. Putin me mercenarët Wagner, dhe Xi përmes kurtheve të borxhit.

20 vite pushtet autoritarist, ka sjellë një rënie graduale të demokracisë në mbarë botën. Dhe kjo na ka futur tashmë në një Luftë të re të Ftohtë, të cilën disa ende e mohojnë.

Aventurizmi i Rusisë në Evropën Lindore dhe ndikimi i Iranit mbi Hamasin (dhe operacionet e tjera terroriste) mund të menaxhohen disi përmes izolimit, por jo refuzimi i Kinës ndaj standardeve perëndimore dhe mbështetja e saj ndaj fuqive ekspansioniste.

Kjo e fundit po e nxit botën tonë të ndahet në dy sfera konkurruese:në qasjen tradicionale dhe në një botë që po shkon drejt luftës. Me një udhëheqje pak vizionare, shumë vende të paangazhuara, tanimë të grupuara në të ashtuquajturin Jugu Global, mbeten të pavullnetshme për të marrë anë, edhe pse dhjetëra vende janë bërë pjesë e programit ekonomik të Kinës “Një Brez, një Rrugë”.

Historia nuk përsëritet, por rimon. Historikisht, ndryshimet epokale të pushtetit janë shkaktuar shpeshherë nga luftërat e mëdha. Dhe ato pasohen nga paqja, e karakterizuar nga traktatet kryesore ndërkombëtare të shkruara nga fitimtarët.

Këto rregulla mbijetojnë për disa breza, përpara se pushteti të largohet nga duart e fituesve të dikurshëm dhe të ndryshojnë aleancat, duke çuar kësisoj në një konflikt të ri që sjell një rivendosje të ekuilibrave  të vendosur një grup të ri rregullash.

Traktati i Vestfalisë i vitit 1648 i dha fund Luftës Tridhjetëvjeçare dhe vendosi parimin e sovranitetit të kombeve që njihet edhe sot. Në vitin 1713 u nënshkrua Traktati i Utrehtit, i cili vendosi ekuilibrin midis fuqive të mëdha të kohës.

Kongresi i Vjenës i vitit 1815, pas Luftërave të trazuara Napoleonike, krijoi një sistem konferencash në përpjekje për të garantuar atë ekuilibër të ri të pushtetit në të gjithë Evropën. Traktati i Versajës në vitin 1919 fill pas Luftës së Parë Botërore, e përforcoi atë sistem duke krijuar Lidhjen e Kombeve.

Jalta dhe Bretton Woods e përfunduan punën duke krijuar institucione si Kombet e Bashkuara dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Tani ‘dhëmbët e mëdhenj’ që rrotullojnë kaleidoskopin e fuqishëm gjeopolitik, kanë filluar të rrotullohen sërish pa asnjë tregues të qartë se ku do të ndalen.

Bota e sotme është e paqëndrueshme, dhe situata ndërlikohet më tej nga një tërheqje e përgjithshme nga globalizimi, përhapja ushtarake, sfidat në rritje të ndryshimeve klimatike dhe shpërqendrimi nga politika e brendshme. Është e domosdoshme që të njihet serioziteti i situatës aktuale.

Numri i njerëzve që jetojnë në demokraci ka rënë nga 3.9 miliardë në vitin 2017, në rreth 2 miliardë sot. Rreth 70 për qind e popullsisë së botës, jeton sot nën një sundim autokratik.

Pa një veprim të shpejtë dhe kolektiv, ne rrezikojmë të zhytemi në kaos dhe konflikte më të gjera, duke përsëritur dështimet e bujshme të viteve 1930.

Ashtu si atëherë, armiqtë tanë na sfiduan një e nga një. Japonia pushtoi Mançurinë, Italia Abisininë dhe Gjermania Austrinë, por ne bëmë një sy qorr. Me Rusinë që vazhdon pushtimin e Ukrainës, me Iranin që mbështet Hamasin në Gaza, Kina duhet të jetë duke llogaritur se nuk ka kohë më të mirë se tani për të sulmuar Tajvanin.

Koha për të vepruar është tani. Rendi ynë i bazuar në rregulla kërkon një riparim urgjent, dhe ne jemi madje të vonuar për një përmirësim të rëndësishëm të aftësive tona mbrojtëse. Si një komb që ofron fuqi në udhëheqjen globale, ka ardhur koha që Britania të zgjohet dhe të ecë përpara me zgjidhje kolektive për të shuar “dritat e kuqe” që janë ndezur në ‘pultin’ e rendit global.

Burimi: Daily Telegraph/Përshtati Gazeta Si

Shënim:Tobias Ellwood, deputet për disa mandate i Partisë Konservatore në Britaninë e Madhe. Vitet e fundit mbajti postin e kreut të komisionit parlamentar të mbrojtjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë