Menaxhim

Fermerët me ‘dëftesa tregtare’ për produktet bujqësore, do i përdorin si kolateral kredie

Nga Gazeta ‘SI’ – Një zhvillim pozitiv pritet të ndodhë në sektorin bujqësor të Shqipërisë, duke i dhënë fermerëve më shumë akses në financime.

Sipas një projektligji të hedhur për konsultim nga ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, fermerëve u jepet e drejta të pajisen me një dëftesë për produktet e tyre bujqësore, të magazinuara ose të pritshme. Kështu atyre do tu sigurohet një financim paraprak, si edhe mund të përdoret si një garanci kredie. I gjithë procesi do të jetë elektronik, me anë të platformës e-albania.

Lëshimi i një dëftese të tillë bëhet me anë të depozituesit (fermerit, prodhuesit) dhe magazinuesit. Këshilli i Ministrave do të miratojë me vendim kushtet minimale, të detyrueshme për t’u zbatuar nga magazinuesi, në mënyrë që të lëshojë dëftesa tregtare.

Sipas relacionit, qëllimi i këtij projektligji është që të sigurojë sa më shumë financime në bujqësi, pagesa të shpejta dhe të drejta për fermerin.

“Në mungesë të një ligji i cili rregullon dhe ofron mbrojtje në mënyrë të posaçme për fermerin është konkluduar se në këtë marrëdhënie shpesh blerësi abuzon me pozicionin e tij p.sh si në rastin e ngritjes së pretendimeve lidhur me cilësinë, sasisë etj. të produktit bujqësor duke i përdorur si mënyrë për të ulur çmimin real. Duke pasur në vëmendje këto problematika, si në aspektin financiar po kështu edhe në mungesën e një mbrojtje ligjore në marrëdhëniet tregëtare për produktet bujqësore të ardhshme që fermerët në Shqipëri hasin, lindi domosdoshmëria e propozimit të një politike të re”, thuhet në raportin e vlerësimit të projektligjit “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore”, shkruhet në relacionin e

Ky projektligj hartohet për herë të parë në vendin tonë. Në vendet e tjera ka një traditë të konsoliduar në lidhje me këto instrumente financiare mbi produktet bujqësore. Në rastin konkret janë marrë në konsideratë traditat ligjore të krijuara për të rregulluar këto marrëdhënie juridike në Brazil, Ukrainë, etj. Në këto shtete fermerët e vegjël janë përballur me problematikën e pamundësisë për të marrë kredi duke përdorur produktin bujqësor si kolateral dhe aty e ka gjenezën thelbi i projektligjit të propozuar.

Në relacion theksohen se në Shqipëri gjatë procesit të hartimit të draftit është punuar paralelisht dhe në bashkëpunim me ekipet e ngritura në shtetet fqinje për hartimin e të njëjtin ligj si në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, duke synuar një rregullim juridik gati të njëjtë, për instrumentet financiare mbi produktet bujqësore, në të tre vendet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë