Nga Gazeta ‘Si’-Giorgia Meloni sapo ka kremtuar vitin e parë si kryeministre e Italisë. Kur u zgjodh në këtë detyrë, ajo u cilësua si një udhëheqëse e ekstremit të djathtë, si liderja më e djathtë që ka pasur Italia që nga koha e Benito Mussolinit. Por tani një vit më pas, a mund të themi se ishin të justifikuara ato etiketime?
Çfarë lloj udhëheqëseje ka qenë Meloni? A ka bërë ajo ndonjë gjë për të justifikuar etiketën e “të djathtës ekstreme”, që në fakt përdoret ende kundër saj? Kur garonte për këtë post, Meloni kërkoi të gjykohej nga fjalët dhe politikat e saj, dhe jo nga fakti që kur ishte adoleshente i ishte bashkuar një partie post-fashiste.
“Zakonisht, politika italiane është disi qesharake. Por edhe sipas standardeve italiane, ne jemi aktualisht në një moment stabiliteti të pazakontë. Pra nuk kemi siç u paralajmërua shpesh një degradim dhe zhytje në kaosin e ekstremit të djathtë”-thotë Giovanni Orsina, lektor në Universitetin Luiss në Romë.
Le të fillojmë analizën me politikën e jashtme. Shumë populistë të krahut të djathtë kanë një dobësi të dukshme për Putinin, dhe nuk duan ta mbështesin Ukrainën. Ndërkohë Meloni ka qenë një nga mbështetëset më të palëkundura në Evropë të Zelensky, si dhe të vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë.
Në këtë qasje ajo ka jo pak rezistencë nga brenda. Italia është ndoshta më skeptike për ndihmën e Ukrainës se sa çdo vend tjetër perëndimor, me vetëm 47 për qind të italianëve që janë në favor të saj. Gjatë fushatës elektorale, presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula Von der Leyen, e paralajmëroi hapur Melonin se nëse sillej si homologët e saj populistë, Brukseli kishte “mjetet” për t’u përballur me të.
Por tani Von der Leyen është rreshtuar përkrah Melonit. Si në rastin kur kjo e fundit drejtonte diskutimet mbi krizën e anijeve të vogla me emigrantë të paligjshëm që zbarkojnë në Evropë përmes Italisë, duke treguar se sa prej tyre do të shpërndahen në pjesën tjetër të Evropës.
Meloni ka thënë se problemi i Italisë është edhe problemi i Evropës. Edhe Von der Leyen e pranoi gjatë vizitës së fundit në ishullin e Lampedusa-s bashkë me Melonin, se kjo krizë “është një sfidë evropiane, e cila ka nevojë për një përgjigje evropiane” dhe se “do të vendosim ne dhe jo kontrabandistët dhe trafikantët se kush do të hyjë në Bashkimin Evropian dhe në çfarë rrethanash”.
Po ashtu, Meloni kërkon krijimin e një task force detare të BE-së për të penguar nisjen e emigrantëve nga Afrika e Veriut drejt Evropës, gjë që mund të ndodhë vetëm përmes marrëveshjes me Tunizinë dhe Libinë. Gati treçereku i italianëve (71 për qind) e mbështesin krijimin e një task force të tillë, por ajo nuk ka fituar ende mbështetjen e Brukselit.
Tradicionalisht, Libia ka qenë pikënisja e preferuar për trafikantët e emigrantë në Mesdheun Qendror, edhe pse është 300 milje larg ishullit të Siçilisë. Por për herë të parë, ka pasur më shumë zbarkime emigrantësh nga Tunizia, e cila është shumë më afër Italisë. Ky vend gjendet aktualisht në prag të falimentimit dhe kolapsit.
Ëndrrat që frymëzuan një dekadë më parë Pranverën Arabe, janë tretur në shkretëtirën e Saharasë. Presidenti tunizian, Kais Saied, që u zgjodh në vitin 2019, pezulloi plotësisht të drejtat demokratike në vitin 2021 dhe tani sundon me dekrete. Në korrik, Meloni udhëhoqi negocimin e një marrëveshje BE-Tunizi.
Brukseli do paguajë gati 1 miliardë euro për të ndalur nisjen e anijeve me emigrantë nga vendi afrikan. Ky pakt është i ngjashëm me marrëveshjen e 2016-ës, e ideuar nga Merkel, ku Turqisë iu dhanë 6 miliardë euro nga BE-ja për të penguar nisjet e anijeve me emigrantë nga brigjet turke drejt Greqisë.
Në rastin e Turqisë, shumë nga njerëzit që përpiqeshin të kalonin në Greqi ishin vërtet refugjatë nga Siria dhe Afganistani. Në rastin e Tunizisë dhe Libisë, shumë njerëz vijnë nga vende që nuk janë zona lufte, dhe për pasojë nuk mund të quhen refugjatë. Këtë vit 4 vendet kryesore të origjinës për emigrantët në Itali janë Guinea, Bregu i Fildishtë, Tunizia dhe Egjipti, që të gjitha jo zona lufte.
Që nga fillimi i këtij viti, 142.000 emigrantë kanë mbërritur në Itali përmes detit nga Tunizia dhe Libia, dhe duket se ky 2023-shi do të thyejë rekordin prej 181.000 emigrantësh që zbarkuan në vitin 2016. Meloni i ka paralajmëruar liderët e BE-së se “nëse Tunizia zhytet në kaos”, po kështu do të ndodhë me Italinë dhe Evropën, që rrezikohen nga ardhja nga deti e mbi 900.000 emigrantëve nga Tunizia.
Në Itali ndryshojnë opinionet mbi këtë çështje. Disa i shohin emigrantët (të paligjshëm ose jo) si një zgjidhje për problemin e shkallës së ulët të lindjeve në vend. Por Meloni i sheh gjërat ndryshe. “Gratë nuk duan të kenë fëmijë, pasi ato jetojnë në një shoqëri që i detyron
të paguajnë. Por ato do ta lindin fëmijë, nëse e gjejnë veten në një shoqëri që i shpërblen si nëna”- deklaroi ajo gjatë fushatës zgjedhore.
Muajin e kaluar ajo mori pjesë në Samitin Demografik të Budapestit, duke iu bashkuar udhëheqësve të kishës dhe politikanëve konservatorë për të diskutuar se çfarë duhet bërë. Norma e lindjeve në Itali ka rënë nga 2.6 në mesin e viteve 1960 në 1.2 aktualisht, shumë më poshtë se shkalla e zëvendësimit 2.1. Për pasojë, popullsia e saj ka rënë me 1.7 milionë, pas arritjes së kulmit në 60.8 milionë në vitin 2014.
Se si do të financohet sistemi i mirëqenies sociale me një trajektore të tillë, kjo mbetet një pikëpyetje e madhe. Meloni bëri fushatë duke e deklaruar veten si “grua, italiane, nënë dhe të krishterë”, dhe thekson se etiketa të tilla janë tashmë të kërcënuara.
“Kjo është shumë e rrezikshme për identitetin tonë kombëtar, familjar dhe fetar. Pa atë identitet, ne jemi vetëm numra dhe mjete në duart e atyre që duan të na përdorin”- tha ajo në Budapest. E frymëzuar nga qeveria e Orban, ajo ka miratuar një fond prej 1 miliardë eurosh për ulje të mëdha taksash për nënat me më shumë se 2 fëmijë, me një vlerë deri në 3.000 euro në vit.
Në Itali, shtatzënia zëvendësuese (përmes nenave surrogato), ka qenë prej kohësh një vepër penale. Ndaj shumë italianë, shpeshherë çifte homoseksualësh, shkojnë jashtë vendit për të gjetur një nënë surrogato. Në korrik, parlamenti miratoi një ligj që e dënon deri 2 dy vjet burg dhe gjobë 600.000-1 milion euro një praktikë të tillë.
Kundërshtarët e saj thonë se kjo është një homofobi në nivel shtetëror. Por për Melonin është axhenda që premtoi me fokus kryesor familjen tradicionale. Po për publikun italian? Vlerësimet në sondazhe për partinë e saj, Fratelli D’Italia, u rritën në gushtin e 2022-it përpara zgjedhjeve, ku ajo mori 26 për qind të votave.
Tani mbështetja ka arritur në 30 për qind, shumë përpara 2 rivaleve të saj kryesore:Partisë Demokratike (18 për qind) dhe Pesë Yjeve (17 për qind). Koalicioni i Melonit mbetet i qëndrueshëm, sidomos pas vdekjes së Berlusconit, që ishte problematik falë miqësisë së tij me Putinin.
Matteo Salvini i Lega-s, ka qenë haptazi pro-Putin në të kaluarën, por që nga pushtimi i Ukrainës ka qëndruar kryesisht i heshtur. Por me një mbështetje prej vetëm 10 për qind, partia e tij nuk ka mbështetje të mjaftueshme për të qenë një kërcënim real. Nga ana tjetër, 2 partitë kryesore opozitare mbeten të paafta për t’u bashkuar, dhe nëse nuk e bëjnë këtë nuk mund ta mposhtin dot Melonin.
Lëvizja Pesë Yjet e akuzon atë se ka dështuar të frenojë emigrimin e paligjshëm apo të ulë papunësinë. Shkalla e papunësisë së të rinjve në Itali është 22 për qind. Kjo normë arrin në mbi 50 për qind në pjesën më të madhe të jugut të vendit. Shumë shpesh ndodh që puna e vetme për emigrantët është e gati skllavëruese, me më pak se 5 euro në orë ose përfshirje në krime.
Gati treçereku (73 për qind) i të arrestuarve për grabitje në Milano dhe 95 për qind i të arrestuarve për vjedhje xhepi nga prilli 2022 në prill 2023, ishin shtetas të huaj. Vlerësohet se në Itali jetojnë më shumë se 500.000 emigrantë të paligjshëm. Këtyre i duhen shtuar 380.000 te tjerë, që kanë kërkuar azil dhe po presin vendimin.
Sipas standardeve evropiane, reformat e qeverisë së Melonit vështirë se mund të quhen ekstreme. Në shtator, ajo miratoi një ligj që zgjat kohën e dëbimit të emigrantëve. Azil-kërkuesit që presin vendimin jetojnë në qendra pritjeje ose bujtina të drejtuara nga shteti, ku janë të lirë të hyjnë dhe dalin.
Sa i përket ekonomisë, Meloni nuk ka arritur ende shumë nga ato që premtoi në fushatën zgjedhore, si për shembull zgjerimin e taksës së sheshtë për bizneset, e cila aktualisht zbatohet vetëm për ata që fitojnë më pak se 65.000 euro në vit.
Borxhi publik i Italisë si përqindje e PBB-së është 142 për qind, një shifër nga më të lartat në botë. Kjo, e kombinuar me rregullat e BE-së për kufijtë e deficitit buxhetor të shteteve anëtare (në teori 3 për qind e PBB-së), e bën shumë të vështirë për çdo qeveri në Itali që të ndërmarrë reforma radikale.
Marrë me shkurtime nga “The Spectator”/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




