Gazeta Si - Seanca e parlamentare e kësaj të hëne, është shoqëruar dhe mbyllur pas rreth një ore me tensione dhe përplasje fizike mes opozitës dhe mazhorancës, ku deputeti demokrat Bledion Nallbati ka tentuar të godasë socialistin Vullnet Sinaj, duke tentuar t'i ndëpresë fjalën.
U desh ndërhyrja e deputetëve të tjerë dhe Gardës për të qetësuar situatën. Pas sherrit me grushte dhe bllokimit të foltores së Kuvendit, kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka mbyllur përfundimisht seancën plenare për këtë të hënë.
Pavarësisht se seanca rinisi, sërish pati tensione. Deputetët demokratë penguan ata socialistë që të flisnin në një seancë që ishte parashikuar të diskutohej mbi çështjet e evidentuar nga zgjedhësit.
Teksa kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolli mori fjalën, pati kundërshti në radhët e opozitës. Deputetët e Partisë Demokratike kanë bllokuar foltoren, duke kërkuar që Garda të dalë nga salla.
Teksa deputetja Teuta Ramaj shprehte problematikat e evidentuar nga zgjedhësit e saj në Vlorë, deputetët Gazment Bardhi dhe Flamur Noka i kanë kërkuar që të ndalonte duke e penguar.
“Turp, turp. Nuk mund të mbrosh një kriminel”, shprehej Noka teksa fliste Ramaj. Pas kësaj situate, kryeparlamentarja vendosi sërish 5 minuta pushim.
Në kushte të kaosit në sallën e Kuvendit, kryeparlamentarja Lindita Nikolla u detyrua që të ndërpriste seancë, e cila vijoi me dyer të mbyllura. Kundrejt saj janë lëshuar akuza nga opozita, e cila e akuzon si një shërbëtore të Edi Ramës, e cila shkel ligjet e Kuvendit.
Ndërkohë, mësohet se deputeti Nallbati u përjashtua nga seanca. Po ashtu janë rikthyer pas 10 ditësh në seancë 23 deputetë të PD-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.