Politike

Kryemadhi mohon thirrjen nga SPAK dhe mbron Malltezin e Berishën: Janë të burgosur dhe përndjekur politikë!

Gazeta Si - Pas zhdukjes disa ditore të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, e cila u lidh me faktin e ndonjë largimi jashtë Shqipërisë, në Parlament është shfaqur deputetja e Partisë së Lirisë.

Edhe pse në sallë iu dha e drejta e fjalës, Kryemadhi e refuzoi, duke qenë pjesë e aksionit të opozitës së udhëhequr nga Berisha, ku deputetët kishin pushtuar foltoren.

Ajo i ka dalë në krah Jamarbër Malltezit dhe ish-kryeministrit Berisha: i pari i arrestuar, ndërsa i dyti nën hetim për aferën e privatizimit të klubit sportiv “Partizani”

Kryemadhi ka ironizuar dhe lajmet kundër saj dhe Ilir Metës për fletëthirrje nga SPAK, teksa tha se “biznesi më fitimprurës në Shqipëri, tashmë nuk është më ndërtimi, por fake news”.

Ajo tha se ka patur shumë fletëthirrje nga SPAK për inceneratorët, por është në pritje të shkojë sërish.

“Unë kam pasur shumë fletëthirrje nga SPAK që kanë lidhje me denoncimet për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit. S’kam problem të shkoj sërish edhe për operacionet plastike pres të më thërrasë SPAK, s’jam thirrur akoma dhe jam në pritje! Jo nuk jam thirrur për lobimin”,- tha Kryemadhi.

Për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportive “Partizani”, ajo tha se, “Jamarbër Malltezi është i burgosur politik”, ndërsa “Sali Berisha i përndjekur politik”.

Kryemadhi solli si shembull Silvio Berlusconi-n, i cili siç tha, kishte me qindra çështje të hapura me drejtësinë, por nuk iu hoq pasaporta e nuk u ndalua të lëvizte lirshëm.

“Për mua, Jamarbër Malltezi është i burgosur politik. Sali Berisha është i përndjekur politik. Ju besoj e njihni të gjithë Berlusconi-n. Berlusconi ka pasur rreth 475 çështje, por nuk i ka hequr njeri pasaportën Berlusconit, as nuk e ka ndaluar njeri të dale”.

Sipas saj, “loja politike që përdoret, sigurisht që për mua është shumë e shëmtuar dhe nuk është se krijon ndonjë efekt. Krijon terror psikologjik te bizneset dhe qytetarët. Se mund të them për shembull, janë 16 pronarë dhe pse arrestohet vetëm njëri dhe nuk arrestohen të 16-të, në logjikë po themi…”.

Pas thirrjes në gjyq të ish-kryeministrit Sali Berisha, pati një zhdukje të Metës dhe Kryemadhit. Ish-presidenti, pati vetëm një status në rrjetet sociale në mbështetje të Berishës, por ende sot e kësaj dite nuk ka dalë në një konferencë mbi zhvillimet më të fundit politike dhe nismën e SPAK për arrestimin e Jamarbër Malltezit dhe thirrjen e ish-kryeministrit Berisha, tashmë me vendim gjykate.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë