Ne rrjet

Ursula von der Leyen porosit Shkupin: Miratoni ndryshimet kushtetuese për të ardhmen tuaj

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka porositur zyrtarët maqedonas se procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian varet nga ndryshimet kushtetuese.

Pas takimit me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski, të hënën në Shkup, shefja e KE-së tha se ndodhet në Maqedoninë e Veriut që Kovaçevskit dhe qytetarëve të këtij shteti t’iu përcjell mesazhin se “jeni në rrugë të mirë që t’i bashkoheni BE-së dhe se BE-ja mezi pret që t’iu shohë në mesin e saj”.

“Ndryshimet kushtetuese janë një hap i domosdoshëm në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Ajo çfarë ka arritur Maqedonia e Veriut është mbresëlënëse, andaj vërtetë dëshiroj që Maqedonia e Veriut të vazhdojë të lëvizë përpara me vendosmëri në rrugën drejt anëtarësimit në BE”, tha von der Leyen.

“Dritarja e mundësive është e hapur, andaj shpresoj se të gjitha partitë do të shfrytëzojnë momentin që të ecni përpara në miratimin e vendimeve të vështira, por që do të jenë për të mirën e vendit tuaj”, shtoi zyrtarja evropiane.

Ai tha se shpreson se pas 17 vjet pritjeje, Maqedonia e Veriut do të nisë bisedimet me BE-në dhe se deri në vitin 2030 do të arrihet deri tek anëtarësimi.

Kryetarja e Komisionit Evropian në takimin me kryeministrin Dimitar Kovaçevski ka prezantuar edhe Kornizën Investuese të Ballkanit Perëndimor.

Paketa e investimeve e planifikuar nga blloku për avancimin e rajonit arrin në 6 miliardë euro – 2.1 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi. Megjithatë, ndihma për rajonin do të kushtëzohet nga shkalla e reformave të zbatuara në secilin prej vendeve veç e veç.

“Plani për zhvillim do të nxisë ekonominë tuaj dhe më e rëndësishme është se do të krijojë vende të reja të punës dhe njëkohësisht do t’iu mbështesë në rrugën tuaj drejt anëtarësimit në BE. Besoj se kjo është një ofertë e vërtetë në kohë të vërtetë. Plani ka potencial që të shkëpusë ekonominë e juaj për një dekadë dhe ky është qëllimi, ndërsa do të luajë një rol të rëndësishëm në rrugën e juaj të integrimit”, tha von der Leyen.

Në rastin e Maqedonisë së Veriut ajo përmendi nevojën për reforma të thella në gjyqësor, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reforma në administratën publike e në sfera tjera.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha se institucionet do të bëjnë gjitha për të përmbushur kriteret, pasi plani, sipas tij, “paraqet shtytje për nxitje për zhvillimin ekonomik, hapjen e tregut evropian për prodhimet maqedonase, uljen e shpenzimeve për transporti, uljen e doganave, mundësi të reja në sektorin e energjetikës, por edhe në kualifikimin e kuadrit në më shumë sfera”.

Pas Shkupit, von der Leyen do të qëndrojë edhe në Prishtinë, Podgoricë, Beograd dhe Sarajevë. REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë