Ekonomi

Procesi i Berlinit / Paketa e re 28 mld euro e BE-së, projektet që përfiton Shqipëria

Nga Gazeta ‘SI’ – Samiti i sotëm në Tiranë, në kuadër të Procesit të Berlinit, do të prezantojë për Shqipërinë paketën e radhës me fonde nga BE.

Mbështetja e ardhshme pritet të prezantohet nga vetë presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ndonëse raporti i plotë do të publikohet më vonë gjatë vitit. Paketa flitet se do të jetë me një vlerë rreth 28 mld euro, nga të cilat 26 do të jenë për programin IPA, para-antarësimit dhe 2 mld euro për ‘Planin e Rritjes’ , dedikuar vendeve të Ballkanit Perëndimor.

LEXO EDHE:
Von der Leyen në Tiranë për Samitin e Procesit të Berlinit, Rama: BE t’i bën nervat copë, por jemi me fat që na mbështet

Ndër projektet që BE ka zgjedhur të mbështesë Shqipërinë kryesojnë ato infrastrukturore, si shtyllë  e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm.

Vlera më e madhe pritet të alokohet për ndërtimin e Bypass-it të Tiranës, mbi 150 mln euro, ndjekur nga hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës, 91.5 mln euro.

BE do të financojë dhe dy kalatat në Portin e Durrësit, në terminalin dedikuar mallrave, me qëllim shtimin e kapacitetit pritës dhe përpunuese. Europianët do të mbulojnë rreth 62 mln euro të projektit.

Energjia është fusha tjetër me rëndësi ku do të futen fondet europiane. Një fond prej 70 mln eurosh do t’i dedikohet interkonjeksionit të linjave energjetike Shqipëri-Maqedoni e Veriut.

Rreth 43 mln euro do të shkojnë për rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës dhe 40 mln të tjera për zhvillimin e Internet Broadband në vendin tonë.

Në konferencën e mbrëmjes së 15 tetorit, von der Leyen u shpreh se nëse Shqipëria kryen të gjitha investimet dhe reforma, në 10 vite, ekonomia do të dyfishohet.

“Dua të përqendrohem tek plani i ri i rritjes i BE-së, sepse këtu po ecim drejt një faze të re veprimesh, pasi ky plan ka potencialin nëse vihet në zbatim siç duhet ka mundësinë të dyfishojë madhësinë e ekonominë tuaj brenda këtij 10 vjeçari. Parimi është që në disa fusha të caktuara ju do të keni qasje në tregun e vetëm të BE-së por për këtë janë të nevojshme reformat dhe reformat do të shoqërohen me investime. Kështu hapet dera për tregun tonë, për tregun e përbashkët rajonal të Ballkanit Perëndimor. Natyrisht kjo do të shoqërohet me investime financiare por natyrisht reformat do të jenë të domosdoshme”, u shpreh presidentja e KE-së.

Paketa do të përfshijë edhe vendet e tjera të rajonit, ato që u janë hapur bisedimet për anëtarësim, si Serbia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, si  dhe vendet kandidate për anëtarësim, si Kosova dhe Bosnje-Hercegovina. Kosova është ende nën masa ndëshkuese nga BE, duke e privuar atë dhe nga fondet europiane.

Shqipëria zë vendin e dytë pas Serbisë, me masën më të madhe të fondeve të përthithura nga europianët, 36%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë