Politike

Von der Leyen në Tiranë për Samitin e Procesit të Berlinit, Rama: BE t’i bën nervat copë, por jemi me fat që na mbështet

Kryeministri Edi Rama ka falënderuar presidenten e Komisionin Europian, Ursula Von der Leyen e cila ndodhet në Shqipëri, për realizimin e Samitit të Procesit të Berlinit për herë të parë në vendin tonë. Kreu i qeverisë ka theksuar që do të bëjë maksimumin për ta bërë këtë Samit të paharruar për çdo të ftuar. Më tej Rama tha se nëpër botë janë bërë shumë Samite, por ky në Tiranë ka një tjetër nivel për shkak të mikpritjes.

“Nuk dua të zgjatem më shumë se doja t’i lija vendin tre zonjave se janë forca reale, por Luigi do gjithmonë që unë të flas në evente. Në këto punë duhet të thuash faleminderit edhe kur nuk e mendon me të vërtetë, por falenderimi që i them Ursulës është i ndjerë nga zemra, është mjaft kumptimplotë sepse ajo e tha dhe e bëri. Kaq e thjeshtë dhe më besoni kam parë Samite, por jo çdo Samit ka virtytin e rezultateve në një kohë kaq të shpejtë. Nuk ka asnjë mënyrë më të mirë sesa ne që jemi këtu për të nisur këtë aktivitet. Samiti i Procesit të Berlinit është hera e parë që ndodh në Shqipëri, jashtë kufijve të BE dhe ne do të bëjmë maksimumin për ta bërë të paharruar për çdo të ftuar. Me që ra fjala, nuk mendoj se është kaq e vështirë, sepse mendoj që kanë bërë kaq shumë Samite dhe ndonjëherë janë kaq të lodhur nga Samitetet që bëjnë, por jo çdo samit është i paharruar në një standard europian, por këtu mikëpritja është e një tjetër niveli”, u shpreh ndër të tjera Rama.

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës me rastin e hapjes së një dege të re të Kolegjit prestigjioz Europian të Bryzhit në Tiranë, u shpreh se është inkurajuese që të shohësh sesi kalohet nga fjalët te veprat. Kreu i qeverisë shqiptare, tha para presidentes së Këshillit të Europës Ursula Von Der Leyen, se ‘BE është mësuesi që t’i bën nervat copë’.

Rama u shpreh se vendi ynë duhet të ndihet i bekuar, pasi BE na ka ndihmuar që të bëjmë një shtet demokratik dhe funksional.

"Është inkurajuese të shohësh BE të kalojë shumë shpejt nga fjalët në vepra, por është inkurajuese dhe më duhet të them se kjo është diçka që e kemi përjetuar këto viteve fundit falë përkushtimit të presidencës, e cila na ka shoqëruar në momente kaq të errëta si prsh tërmeti shkatërrimtar që tronditi Shqipërinë. Mund të them se pa të, rrugëtimi ynë për t'u ringritur dhe për të ndërtuar nga e para më mirë do të kishte qenë i pamundur. Dua të nënvizoj se sa e rëndësishme është kjo nismë që merr jetë sot brenda një kohë shumë të shkurtër. Priremi të mendojmë se Europa ka të bëjë me ekonominë, me financimin, të gjitha këto gjëra janë të vërteta, por Europa ka të bëjë me dijen, me të mësuarit sesi të gjitha problemet që kemi shkaktuar nga e shkuara, ti transformojmë.

Mendoj sa të bekuar jemi që jetojmë në këtë vend e që rrethohemi nga BE. Askush nuk mund t'u mësojë vendeve që gjenden në pjesë të tjera të botës që duan të ecin përpara duke transformuar shtetet e tyre. BE është më i miri që e bën këtë. Askush nuk mund ta shoqërojë një vend që të dalë nga e shkuara e vet dhe të sigurojë një shtet demokratik e funksional për shtetasit e vet siç bën BE. Nuk ka asnjë mësues që t’i bën nervat copë si BE. Kolegji është në pararojë të kësaj, por s’ka rrugë tjetër. Ky kolegj është më shumë sesa një universitet që vjen nga jashtë e bëhet pjesë e sistemit tonë për të ofruar më shumë mundësi. Kjo përveç kësaj është edhe një mësim më i thelluar për BE-në. Mendoj se kemi të drejtën të jemi të lumtur dhe më shumë që më tepër të rinj shqiptarë sesa 31 të tillë janë të prirur e duan të jenë pjesë e tij", tha Rama.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen u shpreh se hapja e këtij kolegji është një urë e fortë drejt Bashkimit Evropian. Po ashtu dha edhe lajmin e mirë se Komisioni Europian do verë në dispozicion 15 bursa gjatë 3 viteve të ardhshme për të gjithë studentët e Ballkanit Perëndimor.

Begaj me Von der Leyen: Samiti i Procesit të Berlinit do nxisë marrëdhënie më të mira midis vendeve të Ballkanit Perëndimor

Edhe Presidenti i Republikës Bajram Begaj, zhvilloi sot një takim me Ursula von der Leyen, Presidenten e Komisionit Evropian.
Përshpejtimi i procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, situata e sigurisë në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi rajonal në optikën e Procesit të Berlinit ishin temat kryesore që u elaboruan në takimin Begaj - Von Der Leyen.

Von Der Leyen dhe Begaj sot

"Shqipëria është e vendosur në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian,"- nënvizoi Presidenti Begaj në këtë takim.

Duke u ndalur në situatën kritike të sigurisë që po kalon Evropa dhe Ballkani Perëndimor, Presidenti Begaj e siguroi zonjën Von Der Leyen se "Shqipëria vazhdon të mbështesë e të jetë e linjëzuar me politikat e jashtme dhe ato të sigurisë së BE-së."

Presidenti Begaj shfrytëzoi këtë takim për të përshëndetur qëndrimet e Bashkimit Evropian për stabilizimin e paqes në rajon duke kërkuar që të ndëshkohet sulmi terrorist serb i 24 shtatorit ndaj një vendi sovran siç është Kosova dhe destabilizim të të gjithë rajonit

Duke e cilësuar si ngjarje historike mbajtjen e Samitit të liderëve të Procesit të Berlinit për herë të parë në një vend të Ballkanit Perëndimor të martën në Tiranë, presidenti Begaj u shpreh se është besimplotë se ky samit do të nxisë marrëdhënie më të mira midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe se do të ndërtojë shinat e duhura për krijimin e një tregu ekonomik të zonës, shina që do zgjaten më pas drejt tregut të përbashkët të Bashkimit Evropian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë