Gazeta Si - Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj Alda Klosit, ish-zyrtarja e lartë të shtetit, në banesën e të cilës u vodhën 120 mijë euro nga pastruesja Rozeta Dobi.
Alda Klosi akuzohet nga organi i akuzës për deklarim të rremë të shumës së parave dhe të një apartamenti.
Po kështu, për hetim janë dërguar edhe pastruesja Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier Dobi për vjedhje me pasoja të rënda e kryer në bashkëpunim.
Kur denoncoi në polici për vjedhjen e parave, Alda Klosi nuk tregoi për shumën e plotë të parave, por për një vlerë më të vogël dhe për vjedhje bizhuterish.
Por nga hetimi u zbulua se ishin vjedhur 120 mijë euro nga pastruesja, të cilat Alda Klosi më pas i justifikoi duke thënë se janë të xhaxhait të saj që jeton në Amerikë.
Alda Klosi është e arrestuar dhe ndaj saj ka një tjetër hetim pasuror që është veçuar nga dosja e vjedhjes së parave.
Historia doli në dritë, pasi në apartamentin e Alda Klosit në “rrugën e Kosovarëve” në Tiranë, u raportua se pati vjedhje.
Policia arrestoi si të dyshuar pastruesen e shtëpisë, Rozeta Dobi dhe djalin e saj si bashkëpunëtor, Havier Dobi.
Por dëshmia e punonjëses së pastrimit ndryshoi gjithçka. Dobi tha se 120 mijë euro që policia i gjeti në banesë, nuk i ka vjedhur, por se Alda Klosi ia kishte dhënë vetë për t’i fshehur në banesë.
Sipas hetimeve të deritanishme, dyshohet se Rozeta Dobi dhe i biri, vodhën në dhjetor 2022 një shumë të konsiderueshme nga banesa e saj që besohet se është 524.800 euro, 8500 dollarë dhe 368.000 lekë të rinj si dhe aksesorë floriri, që besohet i përkasin pikërisht Klosit.
Megjithatë pastruesja Rozeta Dobi dhe i biri këmbëngulin se i morën paratë për t’i ruajtur, e veç tyre edhe 400 mijë euro të fshehura në aspiratorin e banesës së tyre.
Kjo shumë e ka bindur prokurorinë se duhet të hetojë nëse ish-zyrtarja e lartë Klosi po pastronte apo jo para të fituara nga korrupsioni.
Ish-zyrtares i janë sekuestruar një apartament dhe një garazh në pronësi të saj, pasuri këto, që nuk i kishte të deklaruara. Ndaj saj rëndojnë akuzat për tre vepra penale: për pastrim parash, fshehje pasurie dhe deklarim të rremë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.