Futboll

Zgjerohet skandali i basteve në Itali, del në skenë edhe emri i lojtarit të katërt

Gazeta si – Pasi i kishte paraprirë përfshirjes së lojtarëve, si Faxholi, Tonali dhe Xaniolo, në skandalin e basteve që po bën të dridhet futbollin italian, Fabricio Korona, ish-mbreti i paparacëve, ka nxjerrë një emër tjetër. Në këtë çështje, sipas tij, është përfshirë edhe Nikola Zalevski i Romës.

Për momentin nuk ka konfirmime zyrtare në lidhje me lojtarin anësor të Romës, por në këtë moment përshtypja është se skandali mund të zgjerohet më tepër ditët e ardhshme dhe në skenë të dalin fytyra të tjera të kampionatit italian.

Një emër pas tjetrit. Fabricio Korona vazhdon të nxjerrë detaje mbi çështjen e basteve nëpërmjet profileve të tij në rrjetet sociale. Ai jep vazhdimisht indicje në ldihje me lojtarët e prekur nga hetimi që po kryhet.

Pas Faxholit, emri i të cilit doli që në muajin gusht, si dhe përfshirjes së Tonali dhe Xaniolo, të konfirmuara nga blitz-i ‘Digos di Firenze’ dhe Policisë së Torinos në Koverçiano, Korona tani ka drejtuar gishtin edhe drejt lojtarit të Romës, Nikola Zalevski.

Bëhet fjalë për lojtarin e 4-t të prekur nga ky skandal, edhe pse nuk ka ende një konfirmim zyrtar. Dhe gjasat janë që të mos jetë i fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë