Gazeta Si – Fitorja 3-0 ndaj Çekisë mbrëmjen e së enjtes ishte e kompletuar nga të gjitha anët. Përveçse në fushë, Shqipëria fitoi edhe në shkallët e stadiumit ‘Air Albania’, me një sjellje korrekte nga ana e tifozëve kuqezi. Ata e mbështetën Kombëtaren fuqishëm gjithë kohën dhe pa krijuar incidente.
Ishte prova e parë e kaluar me sukses. Kujtojmë që komisionet disiplinore të UEFA-s kanë dhënë një dënim me kusht për mbyllje të pjesshme të disa tribunave të stadiumit, pas incidenteve të ndodhura në ndeshjen me Poloninë. Në atë ndeshje u hodhën sende në fushë dhe pati ndërprerje të lojës.
Nëse këto incidente do të përsëriteshin, atëherë vendimi do të ekzekutohej dhe në ndeshjen e fundit me Ishujt Faroe, që do të ishte edhe ndeshja e festës së madhe të kualifikimit në Euro 2024, tifozët do të mungonin. Por ata e bënë pjesën e tyre, e fituan ndeshjen e tyre me një sjellje model.
Madje koreografia ishte spektakolare. Një banderolë gjigante u hap që në fillim, ku shfaqej Berlini. Një banderolë që ndolli suksesin e Kombëtares, pasi tashmë e ka në dorë ‘biletën’ e Gjermani 2024. Gjatë gjithë ndeshjes tifo-grupet kryesore nuk rreshtën së kënduari koret e tyre dhe ‘Kush s’kërcen, nuk është shqiptar’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.