Gazeta Si – Dy ditë më parë merrte pjesë në ceremoninë e diplomimit të drejtorëve të rinj sportivë në Tiranë. Sot Piero Auzilio, drejtori sportiv i Interit, do të jetë në tribunën ‘VIP’ të stadiumit ‘Air Albania’, duke monitoruar lojtarë që i interesojnë klubit.
Drejtori i Interit në fakt nuk po ndjek një futbollist të Shqipërisë. Për Brojën, që gjithsesi e humbi këtë ndeshje për shkak dëmtimi, ai tha se nuk ka interes nga klubi italian. Shënjestra e Auzilios është kapiteni i Çekisë, mesfushori Souçek, që luan me Uest Hemin në Premier Ligë.
Kuptohet që Auzilio nuk do të jetë drejtuesi, apo menaxheri i vetëm i pranishëm në stadium mbrëmjen e sotme. Do të jenë edhe shumë të tjerë. Nga lojtarët e Shqipërisë, më i monitoruari mund të jetë Jasir Asani, i cili po paraqitet shumë mirë me fanellën kuqezi dhe meriton një kampionat shumë më të mirë se ai i Koresë së Jugut, ku luan aktualisht.
Mund të jetë edhe lojtarë të tjerë të dy skuadrave në fokusin e klubeve europiane. Duke mbetur te Shqipëria, Ernest Muçi mund të jetë njëri prej tyre. Ai nuk luan titullar, por mund të marrë minuta dhe zërat e fundit flasin për një interesim të Monakosë për sulmuesin shqiptar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.