Futboll

Eden Hazard i jep lamtumirën futbollit në moshën 32-vjeçare, mbi 700 ndeshje të luajtura

Gazeta Si – Ish-futbollisti i Çelsit dhe Real Madridit ka njoftuar tërheqjen nga futbolli i luajtur, pasi kishte mbetur pa skuadër në verë.

“Duhet të dish të dëgjosh dhe të ndalesh në momentin e duhur”, – shkruan Hazard në fillim të një postimi të gjatë të publikuar në profilin e tij në Instagram. Edhe pse është 32 vjeç, ai ka vendosur t’i varë ‘këpucët në gozhdë’. Belgu kishte mbetur pa ekip në verë, pas përfundimit të kontratës me Real Madrid.

Një nga shtyllat kryesore të kombëtares belge për më shumë se një 10-vjeçar, Hazard ka bërë për vete publikun me lojën e tij, duke ndihmuar “Djajtë e kuq” të shkojnë deri në gjysmëfinalen e Botërorit 2018, kur u mundën nga Franca. Për vendin e 3-të në atë kompeticion Belgjika mundi Anglinë.

Lojtari i lindur në La Louvière ka dhënë më të mirën me klubet, duke veshur fanellat e Lilës, Çelsit dhe Real Madrid, ku ka fituar 1 Champions, 2 Liga Europe, 1 Superkupë Europe dhe 1 Botëror për klubet.

Një vendim i dhimbshëm, por që në të njëjtën kohë i jep vlerë lojtarit. “Pas 16 vitesh dhe 700 ndeshjesh të luajtura, kam vendosur ta mbyll karrierën si futbollist profesionist. Kam realizuar ëndrrën time, jam argëtuar në fushat e gjithë botës.

Kam pasur fatin të takoj menaxherë, trajnerë dhe lojtarë të mëdhenj. I falënderoj të gjithë për momentet e bukura. Falënderoj edhe klubet dhe federatën belge. Një falënderim special për familjen dhe fansat që më kanë inkurajuar”, – shkruan belgu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë