Futboll

Një serb, basti i UEFA-s në Champions League

E kryqëzuar nga të gjitha anët pas gjysmëfinaleve, UEFA ka zgjedhur një strategji të rrezikshme për finalen e Ligës së Kampionëve.

Qeveria e futbollit europian publikoi së fundmi emrat e dy gjyqtarëve që do të vendosin drejtësin në finalen e Ligës së Europës, mes Marsejës dhe Atletikos së Madridit dhe më pas finalen e madhe të Ligës së Kampionëve, që luhet në Kiev.

Por, nëse për Ligën e Europës bilbili i është besuar një gjyqtari me peshë, si Bjorn Kuipers, për finalen e Kievit, UEFA ka përzgjedhur serbin Milorad Maziç. 45-vjeçari Maziç është gjyqtar i FIFA-s që prej vitit 2009 dhe përvoja në arbitrim nuk i mungon.

Por, ajo që i mungon, sipas analistëve sportivë në Gjermani e Francë është përvoja në gjykimin e ndeshjeve të kësaj natyre, ku një gabim i vogël përflitet për muaj, e ndoshta edhe vite më vonë.

Siç thotë SkySports, Maziç është basti i UEFA-s, që me këtë zgjedhje kërkon që të lërë pas ndeshjet gjysmëfinale, ku gjyqtarët e takimit nuk ishin në nivelin e pritshmërive.

The Guardian thotë nga ana tjetër se zgjedhja e një gjyqtari të një profili më të ulët se shumë nga emrat e tjerë të gjykimit në kontinent është një strategji e UEFA-s për të “harruar” gjykimin në dy gjysmëfinalet, por shton kjo është thikë me dy presa.

“Përzgjedhja e një emri të afirmuar, me përvojë, por jo në nivelin e emrave të tjerë të arbitrimit në Europë është një strategji që rrezikon t’i kthehet si boomerang vetë UEFA-s”, thotë prestigjozja britanike në seksionin e vet sportiv.

Të dyja ndeshjet gjysmëfinale si Bajern-Real, ashtu edhe Liverpul-Roma u shenjuan nga disa gabime të pafalshme. Kujtojmë këtu atë top të devijuar me dorë nga Alexander-Arnold, që i mohoi golin e dytë Romës në ndeshjen e kthimit të luajtur në Olimpico, apo mosdhënien e një 11-metërshi në takimin e parë të zhvilluar në Angli.

Në sfidën tjetër, Marcelo devijoi pastër po me dorë një kros të Kimmich që po i drejtohej zonës. Asnjëri prej gjyqtarëve, megjithëse fushëpamja nuk mungonte, nuk sinjalizoi për 11-metërsh, pavarësisht protestave të mbrojtësit gjerman.

Finalja e Ligës së Europës luhet më 16 maj në Lion të Francës, ndërsa akti i fundit i Ligës së Kampionëve, mes Liverpulit dhe Realit luhet më 26 maj në stadimin e Kievit, Ukrainë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë