Nga Gazeta ‘Si’ – Vitin e shkuar, shpenzimet mesatare për konsum në një familje shqiptare ishin 4.5% më të larta se në 2021-shin.
Të dhënat e INSTAT në anketën e buxhetit të familjeve, të përbëra mesatarisht nga 3.7 persona, tregojnë se këto shpenzime vlerësohen në 88.367 lekë në muaj.
Referuar të dhënave, familjet shqiptare vitin e shkuar kanë ulur peshën e shpenzimeve për ushqimeve. Sipas INSTAT ka ndikuar rritja e shpenzimeve të nënprodukteve.
Grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 35.083 lekë, zë një peshë prej 39.7 % në buxhetin familjar. Ajo është ulur me 1.6 pikë përqindje në krahasim me vitin e mëparshëm.
Nëngrupet që zënë peshën më të madhe në shpenzimet për ushqim janë: “mish dhe nënprodukte” me 18.9 %, “bukë dhe drithëra ” me 16.9 % ndjekur nga “qumësht me nënproduktet e tij dhe vezë” me 12.9%.
Grupi i restoranteve dhe hoteleve ka rezultuar me rritjen më të lartë të shpenzimeve mesatare mujore për konsum, me 37.5 % krahasuar me vitin 2021. Pesha e shpenzimeve në këtë grup është rritur nga nga 5.5% në 7.3%.
Sipas INSTAT rritja e shpenzimeve në këtë grup ka ardhur si rezultat i rritjes më të madhe të shpenzimeve për nëngrupet: “shërbime akomodimi në hotele/komplekse hotelesh brenda dhe jashtë vendit”, “qëndrime për një natë në hotele, komplekse hotelesh, fshatra turistike etj.
Vlera mesatare mujore e shpenzimeve për këtë grup ishte 6.448 lekë, dhe zë 7.3 % të buxhetit gjithsej.
Grupi i dytë me rritjen më të madhe të shpenzimeve është Transporti me një rritje prej 15.7 % dhe ai i pijeve alkoolike dhe duhanit me 14%, për shkak të shtrenjtimit të karburanteve dhe duhanit.
Ndërsa grupi i shpenzimeve për banesën, me shpenzimet për energji elektrike, ujë, lëndë djegëse, qira të paguar dhe riparime të vogla, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 8.640 lekë, përbën 9.8 % të totalit të buxhetit familjar.
Qarqet nën mesataren e shpenzimeve mujore
Vitin e shkuar qarku i Tiranës paraqet shpenzimet mesatare më të larta mujore për konsum ndërsa gjithë qarqet e tjera janë nën mesataren e Shqipërisë (88.367 lekë në muaj).
Një familje në Tiranë shpenzon për konsum mesatarisht 104.426 lekë në muaj.
Qarqet që paraqesin shpenzimet mesatare më të larta për konsum, pas Tiranës janë Korça me 85.398 lekë dhe Durrësi me 83.473 lekë në muaj për familje.
Ndërsa qarqet me nivel më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum janë qarku i Dibrës me 72.724 dhe i Kukësit me 73.099 lekë në muaj për familje.
Shpenzimet gjithsej për konsum janë rreth 67 miliardë lekë në muaj për 758.973 familje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.