Gazeta Si – Tirana me trajner të ri. Orges Shehi është larguar nga skuadra më e titulluar në vend, tani ka ardhur edhe zyrtarizimi i lajmit nga klubi. Pozitat e Shehit ishin lëkundur fort pas humbjes së fundit me Laçin në ‘Selman Stërmasi’ dhe tani vendin e tij e merr përkohësisht Julian Ahmataj.
Humbja e fundit në fakt duket se i ka bërë drejtuesit e klubit të lëvizin më shpejt për të bërë ndryshimin në stol, pasi pakënaqësitë ndaj Shehit kishin filluar më parë. Mes klubit dhe trajnerit durrsak ka pasur fërkime që në kohën e merkatos së verës.

‘Pas shqyrtimit të rrethanave lidhur me situatën sportive dhe rezultateve te dobëta, në të cilën ndodhet klubi aktualisht, bazuar në kontratën individuale të punës, Klubi i Futbollit Tirana ka vendosur të pezullojë nga detyra trajnerin Orges Shehi. Gjithashtu, klubi njofton se do të vazhdojë marrëdhënien kontraktuale me trajnerin Shehi deri në përfundimin e saj”, – shkruhet në njoftimin zyrtar të klubit të Tiranës.
Situatë e çuditshme në fakt. Shehi është pezulluar, nuk është më trajner, por klubi do respektojë kontratën me të. Kjo do të thotë se tani klubit i duhet të paguajë dy trajnerë njëkohësisht, Shehin dhe trajnerin e ri.
Presidenti Refik Halili u shpreh se ndërhyrja në stol ka ardhur për shkak të rezultateve dhe se ekipi do të drejtohet nga Julian Ahmataj për momentin. Elbasanasi e ka drejtuar edhe më parë Tiranën dhe aktualisht është pjesë e klubit me ekipet e moshave. Si kandidatë ishin lakuar edhe emrat e Emanuel Egbo dhe Ernest Gjokës.
Orges Shehi ishte trajneri i dytë më i paguar në Superiore, pas Luixhi Di Biaxhos së Dinamos. Ai përfitonte rreth 10 mijë euro në muaj, ndërsa klubi ishte i pakënaqur me rezultatet e deritanishme. Më parë janë larguar Stavri Nica dhe Skerdi Bejzade nga Laçi, Rrahman Hallaçi nga Kukësi dhe Diego Longo nga Teuta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




