Nga Gazeta ‘Si’- Në projektligjin e ri për turizmin, krahas pronarëve të strukturave akomoduese, janë vendosur detyrime edhe për operatorët turistikë dhe udhërrëfyesit.
Para fillimit të ushtrimit të kësaj veprimtarie, operatorët turistikë duhet të pajisen me licencë, sipas ligjit përkatës të licencave. Nëse nuk e bëjnë këtë ata gjobiten automatikisht me 300 mijë lekë.
Në projektligj theksohet se agjencia e udhëtimit dhe operatori turistik duhet të mbajë një regjistër me të dhënat e turistëve, destinacionet e vizituara dhe ditët e qëndrimit dhe t’i raportojë këto të dhëna elektronikisht, një herë në muaj, sipas formularit të miratuar nga ministri përgjegjës për turizmin.
Në rast se nuk e bëjnë këtë, gjoba do të jetë 100 mijë lekë.
Operatorët turistikë duhet gjithashtu të ekspozojnë dukshëm listat e çmimeve për produktin dhe shërbimin që ofrojnë në gjuhën shqipe dhe angleze.
Në pikën tjetër përfshihet nevoja për një kontratë sigurimi për sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta duke përfshirë në këtë pjesë kompanitë e sigurimit.
“Çdo sipërmarrës turistik, gjatë ushtrimit të veprimtarisë duhet të ketë një kontratë të vlefshme sigurimi për sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta si rezultat i mospërmbushjes së detyrimeve, përfshirë aftësinë paguese dhe falimentimin. Kontrata e Sigurimit lidhet me një shoqëri sigurimi, në përputhje me dispozitat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për sigurimet dhe risigurimet si dhe mbulon dëmet e parashikuara më sipër, si dhe ato të parashikuara në kuadrin ligjor për mbrojtjen e konsumatorit” thuhet në dokument.
Udhërrëfyesit të pajisen me certifikatë pa afat
Ndërsa për udhërrëfyesit pr.ligji vendos detyrimin e pajisjes me certifikatë. Ata që do ta ushtrojnë këtë aktivitet pa u pajisur me certifikatë nga ministria e Turizmit do të gjobiten me 100 mijë lekë.
Sipas relacionit shpjegues, certifikatat e tyre duhet të jenë pa afat me qëllim krijimin e lehtësirave gjatë ushtrimit të aktivitetit nga ana e tyre.
Kërkimi i adresës së udhërrëfyesit turistikë është shfuqizuar për të shmangur ndryshim të herë pas hershëm të certifikatës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



