Gazeta Si - Në tentativë për t’i shpëtuar agjentëve të policisë, Artan Tafani ka tentuar të fshihet në hotelin ku ndodhej pranë autostradës Lushnjë-Fier në një pikë karburanti.
Siç shihet në pamjet e siguruara nga Gazetasi.al, 38-vjeçari është dorëzuar kur ka vënë re se ka qenë i rrethuar.
Tafani pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë, duke treguar të paktën 6 vrasje të bujshme të grupit të Laert Haxhiut.
I arrestuar të shtunën e shkuar në mbrëmje, ai akuzohet si autor i grabitjes me dhunë i një pike të këmbimit valutor në zonën e Astirit në muajin qershor të këtij vit.
Por me provat që posedonte prokuroria, gjurmët e tij biologjike kanë dalë në disa prej ngjarjeve të rënda kriminale.
Nën presionin e prokurorëve, Tafani shfaqi pendesë dhe rrëfeu krimet e kryera gjatë viteve 2021-2023, duke implikuar 15 persona të tjerë.
Arrestimi i tij e çoi në policinë në zbardhjen e 18 ngjarjeve kriminale, 6 prej të cilave vrasje të bujshme. 2 nga këto vrasje janë regjistruar në Greqi dhe 4 në Elbasan, Korçë, Lushnje e Tepelenë.
11 prej tyre u vunë në pranga mes të cilave dhe një vajzë, ndërsa 4 të tjerë u shpallën në kërkim.
Mes personave për të cilin u lëshua një urdhër arresti, është dhe Laert Haxhiu, një emër i njohur i botës së krimit, që aktualisht ndodhet në burg në Greqi, pasi është dënuar me 18 vjet burg për një vrasje të dyfishtë të ndodhur në Lushnje në vitin 2017.
31-vjeçari sipas deklarimeve të Artan Tafanit, ka pasur rolin e organizatorit kryesor, por edhe si pjesëmarrës në ngjarjet kriminale të zbërthyera.
Gjashtë vrasjet e bujshme janë: Çajup Selimi, Alban Semaku, Albi Bashaliu, Lulzim Qorri, Fridmand Xhaferraj, Dikens Halili. Deri tani rezultojnë 12 të arrestuar dhe 4 në kërkim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.