Ka ndodhur

Megaoperacioni i policisë / I arrestuari për 40 mijë euro në Tiranë tregon 6 vrasjet e grupit të Laert Haxhiut

Artan Tafani, i cili është arrestuar në Lushnjë disa ditë më parë, si autor i grabitjes së një pike këmbimi valutor në Astir të Tiranës, ka zbardhur 6 vrasje të kryera me pagesë.

Kësisoj, me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit, janë lëshuar 15 urdhër-arreste, ndërsa janë zbardhur 6 vrasje të kryera për llogari të grupit të Laert Haxhiut, të arrestuar në Janinë të Greqisë pak muaj më parë.

Ndërkohë, në kuadër të këtij operacioni është shoqëruar nga policia e Elbasanit shtetasja Klea Gjata, lindur dhe banuese në Lushnjë, e cila dyshohet se ka lidhe me Laert Haxhiun.

Ngjarjet kriminale të kryera ndër vite janë zbardhur nga Artan Tafani, i cili është bërë bashkëpunëtor i drejtësisë.

Ai ishte mbajtur në vëzhgim për disa kohë dhe më pas është ndërhyrë për arrestimin e tij. Kapja e tij është mbajtur sekret për shkak të hetimeve dhe rrëfimeve që po bënte për ngjarjet kriminale.

Artan Tafani u arrestua disa ditë më parë nga Policia e Lushnjes, pasi ishte shpallur në kërkim si autor i grabitjes së 40 mijë eurove në një pikë të këmbimit valutor në zonën e Astirit në Tiranë në muajin qershor 2023.

Pas grabitjes ai u largua me biçikletë dhe me ndihmën e një tjetër personi e ka fshehur në një garazh automjetesh. Policia ka zbuluar dhe më pas ka arrestuar se bashkëpunëtori i Tafanit është Enio Meçaj, 35 vjeç, banues në Fier.

Gjithashtu po në të njëjtin garazh, uniformat blu kanë gjetur dhe një automjet i cili rezultoi i vjedhur në Shkurt të 2023 në zonën e Shijakut. 

Tafani ka rrëfyer se vrasjet janë kryer në Greqi, Tiranë, Elbasan dhe Berat. Në mesin e personave që Tafani ka përmendur si autorë vrasjesh, janë edhe emra të njohur të botës së krimit.

Që prej identifikimit, policia ka pasur dyshime të përfshirjes së Tafanit në aktivitet të theksuar kriminal, pjesë e një grupi me bazë në disa qytete.

Operacioni është në vijim dhe në shumë akse kombëtare e qytete ka pika të shumta kontrolli për kapjen e personave në kërkim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë