Ka ndodhur

Tentuan të merrnin para duke mashtruar një biznesmen, 4 në pranga. Rishfaqet Florian Gjegji

Gazeta Si - Një tjetër skemë mashtrimi është zbuluar në Tiranë, ku del sërish në skenë Florjan Gjergji, supermashtruesi i shpallur në kërkim edhe për raste të tjera.

Policia tha sot se 4 persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkimnë të akuzuar për skemë mashtrimi në Tiranë.

Si rezultat i operacionit policor të koduar “Fraud” u bë arrestimi i shtetasve Xh. Xh., 24 vjeç, L. Xh., 39 vjeç, M. P., 30 vjeç, të tre banues në Elbasan, dhe P. F., 51 vjeç, banues në Vlorë.

Ndërsa në kërkim u shpallën Xhensil Qefa 27 vjeç dhe Florian Gjergji, 40 vjeç, i cili rezulton se është dhe personi që organizoi skemën e zhvatjes.

Organizatori i skemës, Florian Gjergji

Këta shtetas kanë tentuar të mashtrojnë një biznesmen, për të përfituar shumën 70 000 euro, duke u prezantuar si përfaqësues të një zyrtari shtetëror. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete dhe 6 aparate celulare.

Ndërkohë, Florian Gjergji, konsiderohet nga Policia e Tiranës si njeriu që ka organizuar në shumë raste skemën e mashtrimit duke u prezantuar përmes emrave të zyrtarëve të lartë.

Prej muajit janar 2023, Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë dhe prej 5 muaj ai nuk është mundur të kapet nga policia e kryeqytetit.

Gjergji, gjatë kësaj kohe është bërë protagonist dhe i të paktën 4 rasteve të tjera të mashtrimit me shuma të mëdha, raste këto që janë zbuluar nga policia, duke çuar në pranga njerëzit e afërt me të cilët Gjergji ka bashkëpunuar në momentin e tërheqjes së lekëve.

Një në rastin ku u tentua që t’i merreshin 130 mijë euro biznesmenit Pëllumb Salillari, një më 17 maj 2023 kur u përmend emri i kryebashkiakut Erion Veliaj me qëllim që përmes mashtrimit t’i merrnin një biznesmeni në Tiranë, Ramë Gecit, 70 mijë euro.

Po ashtu një rast tjetër është kur mashtruesit kanë përdorur emrin e ish-kreut të Kadastrës, Artan Lame për t’iu marrë para biznesmenëve.

Skema e fundit e mashtrimit që iu tentua ti bëhej më 4 gusht 2023 pronarit te ‘Brunes’ Geront Çela. Këtë herë emri që është përdorur si 'dërgues' ka qenë i kryetarit të bashkisë Vlorë, Ermal Dredha. Policia arriti ti zbulonte bashkëpunëtorët në momentin kur ishte organizuar dorëzimi i shumës prej 35 mijë euro.

Florian Gjergji dyshohet se të gjithë aktivitetin kriminal e kryen nga Gjermania, vend ku në një prej rasteve të tentativës për të mashtruar u ka thënë personave që pajtonte, do t’i dërgonin paratë pasi t’ia merrnin biznesmenit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë