Gazeta Si – SPAK ka konfirmuar se nuk ka të dhëna konkrete për vendndodhjen e ish zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, i shpallur në kërkim për disa vepra penale në lidhje me aferën e inceneratorëve.
Por nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme ka paralajmëruar se së shpejti do të ketë zhvillime të reja dhe surprizuese për çështjen e ish-zv.kryeministrit, i cili është në arrati prej disa muajsh.
Gjatë një takimi me gazetarët, Altin Dumani tha se ka zhvillime surprizuese, por ende nuk dihet vendndodhja e ish-zv.kryeministrit, i cili është shpallur në kërkim nga SPAK për disa akuza.
“Nuk kemi të dhëna konkrete se ku ndodhet Arben Ahmetaj. Është verifikuar dhe e kemi të qartë se kur ka dalë nga Shqipëria. Së shpejti do kemi zhvillime të reja dhe surprizuese”, – tha pa dhënë detaje Dumani para gazetarëve.
Arratia e Ahmetajt
Pak ditë më parë, Gjykata e shkallës së Parë ka rrëzuar kërkesën e Arben Ahmetajt, i cili kishte kërkuar heqjen sekuestros nga një llogari bankare.
Llogaria në fjalë ishte një nga gjashtë pasuritë e vëna nën sekuestro për shkak të hetimit të nisur ndaj ish-zv.kyeministrit për veprat penale të “korrupsionit”, “pastrimit të parave” dhe “fshehjes së pasurisë”.
Më herët, Gjykata e Posaçme ka rrëzuar edhe kërkesën për të hequr nga sekuestro një apartament në Tiranë në pronësi të Arben Ahmetajt.
Mes katër pasurive të paluajtshme të sekuestruara, janë një vilë në bregdetin e Palasës dhe një vilë në Hamallaj.
Ish-zëvendës kryeministri është i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana për llogari të SPAK, që në datën 24 korrik të këtij viti.
Akuzat
Ai është me masë sigurimi “arrest në burg” në mungesë. Ahmetaj dyshohet për 3 vepra penale korrupsion në 6 raste, fshehje e pasurisë dhe pastrim parash.
Pak javë më parë, me vendim të gjykatës dhe kërkesë të SPAK, Ahmetajt iu vunë në sekuestro edhe 6 pasuri, 4 apartamente dhe 2 llogari bankare në shumën e 124 300 euro.
Policia e Shtetit ka bërë me dije se ende nuk kanë një informacion për vendndodhjen e ish-zëvendës kryeministrit.
Disa kohë më parë, avokati i tij konfirmoi se Ahmetaj ndodhej në Angli, pranë familjes së tij. Zyrtarisht në dyert e SPAK, nuk ka mbërritur asnjë shkresë për të konfirmuar këtë informacion. Arben Ahmetaj u largua përpara se Këshilli i Mandateve t’i hiqte imuniteti dhe t’i hapte rrugë arrestimit.
Policia e shtetit njoftoi SPAK se Ahmetaj nuk ndodhej në Shqipëri dhe tashmë kërkohet nga Interpol Tirana.
Hetimet e tjera të SPAK
SPAK pranoi për herë të parë se ka një procedim të ri, që është në fazën e verifikimeve paraprake sa i takon çështjes së abuzimeve me fondet e BE-së për Bujqësinë.
Më herët Struktura e Posaçme e kishte kaluar çështjen për IPARDIN në Prokurorinë e Tiranës për kompetencë. Ndërsa sa i takon asaj që njihet si çështja McGonigal, SPAK është i rezervuar në dhënien e informacioneve.
“Çdo informacion dhe e dhënë e publikuar në media, është në vëmendjen e SPAK. Lidhur me kërkesën zyrtare të PD, sipas përcaktimeve ligjore si palë kallëzuese, do të ketë përgjigje brenda kohës së duhur dhe në mënyrën e duhur”.
Prokuroria e Posaçme bën me dije se është duke bashkëpunuar me SHBA-në sa i takon disa çështjeve për të cilat ka dërguar letërporosi, por pa zbuluar më shumë detaje. Çdo person i cili është nën hetim nga SPAK paralelisht me çështjen penale, nis dhe hetimi i pasurisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.