Futboll

Egnatia tregon ‘dhëmbët’ edhe në Shkodër, Vllaznia luan gjithë ndeshjen me 10 vetë

Gazeta Si – Vllaznia ka dalë kokëulur nga stadiumi ‘Loro Boriçi’, ku është mundur 0-2 nga Egnatia. Me këtë fitore në javën e 6-të të kampionatit rrogozhinasit kanë vërtetuar se janë kandidatë potencialë për titullin kampion në Superiore.

Ndeshja e Vllaznisë u komplikua që në fillim, konkretisht pas 17 minutash. Dragoshi u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje të rëndë ndaj Spahiut. Ai mori karton të verdhë fillimisht, por pas pamjeve në VAR u qartësua se ndërhyrja ishte për karton të kuq.

Egnatia shënoi në fillim të pjesës së dytë me Isgandarli. Në vazhdim trajneri Memelli bëri lëvizjet e tij nga stoli, por për shkodranët ishte e pamundur që ta barazonin ndeshjen. Përkundrazi, ata pësuan edhe golin e dytë, që mban firmën e goleadorit Duamena. Egnatia fiton 0-2 në ‘Loro Boriçi’ dhe forcon pozitat në krye të tabelës së renditjes, me 13 pikë.

Në stadiumin e Rrogozhinës, Erzenin dhe Skënderbeu luajtën sfidën e penalltive. Tre 11-metërsha u akorduan në këtë ndeshje, dy për korçarët dhe njëra prej tyre u gjuajt dy herë, dhe një për shijakasit. Liço realizoi penalltinë e parë, por më pas gaboi në të dyja tentativat e penalltisë së dytë.

Në fund triumfoi Skënderbeu me rezultatin 1-2. Golin tjetër të skuadrës së Gvozdenoviç e shënoi Shaqe me kokë, ndërsa ëpr Erzenin shënoi me penallti në shtesë Kahrimanoviç. Korçarët ndalin kështu vrullin e Erzenit, që kishte mundur Dinamon dhe Tiranën javët e fundit.

Teuta dhe Kukësi barazuan 0-0 në stadiumin ‘Niko Dovana’, duke ndarë nga një pikë. Trajneri Edi Martini debuton me barazim në stolin e Teutës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë