Arsim

Vetëm 27 studentë / Fizika, Matematika dhe Kimia ‘shpresë’ tek raundet e fundit për të shpëtuar si degë

Nga Gazeta Si- Prej vitesh flitet për mbylljen e programeve të Fizikës, Matematikës dhe Kimisë dhe rreziku nuk mungon as këtë vit.

Sipas të dhënave të fundit të portalit UAlbania, në raundit e parë janë regjistruar vetëm 27 studentë në këto 3 programe.

Shifrat e deritanishme tregojnë se në degën e Matematikës janë regjistruar vetëm 14 studentë, në Fizikë 7, ndërsa në Kimi vetëm 6.

Të tre këto programe kanë së bashku 165 kuota (60 Kimia, 55 Matematika dhe 50 Fizika) dhe mbetet të shihet në dy raundet e mbetur nëse numri i aplikimeve do të përkthehet në shifra regjistrimi.

Të dhënat e fundit tregojnë se 293 nxënës kanë aplikuar për Matematikë, 85 për Kimi dhe 107 nxënës kanë aplikuar për Fizikë.

LEXO EDHE:
-Filologjiku, dekani Laçi: Vetëm 17 kërkesa në degën e historisë, gjuhë-letërsia dhe gjeografia më -shumë aplikime. Gazetaria, 26 të regjistruar
-Projekti TAP dhe zbulimi i naftës në Shpirag, të rinjtë shqiptarë të interesuar vetëm për degën e naftës dhe gazit
-Bursa prej 40 mijë lekësh nga qeveria nuk funksionoi: Në Fakultetin e Gjeologjisë numri i regjistrimeve përsëri i ulët

Kjo situatë alarmante vijon prej vitesh për këto 3 degë

Vitin e kaluar ishin vetë drejtuesit e Fakultetit të Shkencave të Natyrës që u shprehën se interesi për këto programe që janë shpallur prioritet kombëtar ka rënë ndër vite.

“Programe si kimia, fizika, matematika, janë disi programe të vështira. Numri i kërkesave bazohet dhe në kërkesën e atyre që duan të zhvillojnë mësuesin sepse tregu i punës për këto degë përtej degës së mësuesisë është diku i limituar duke patur parasysh se ka dhe programe të ndryshme që janë kombinacione të këtyre degëve si inxhinieri fizike apo matematikë ose fizikë e kompjuter ku maturantët drejtohen më shumë drejt atyre degëve”, ka thënë Arjan Xhelaj, Kreu i rrjetit akademik shqiptar.

Raundi i dytë i regjistrimeve do të vazhdojë deri në datë 1 tetor, ku studentët do mund të regjistrohen pranë fakulteteve. Më pas do ketë një raund të lirë ku studentët do mund të shkojnë pranë fakulteteve për t’u regjistruar në programet që kanë kuota të lira. Atëherë do të mësohet edhe fati i Fizikës, Kimisë dhe Matematikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë