Gazeta Si – Tifozët janë konsideruar ‘lojtari i 12-të’ në futboll, mbështetja e tyre është fondamentale për arritjen e një suksesi. Në Shqipëri, sidomos vitet e fundit, ka një devijim të këtij rregulli, sepse tifozët shpesh kthehen në një problem për klubet. Një problem me kosto financiare.
Çdo javë Komisioni i Disiplinës dhe Apelit u vendos gjoba klubeve për sjellje të gabuar të tifozëve. Këto gjoba janë bërë sistematike për shumë klube dhe, duke marrë të mirëqenë faktin se ato paguhen, në fund të çdo sezoni rëndojnë jo pak në arkat e këtyre klubeve.

Për shembull, Flamurtari dhe Elbasani, dy klube me emër, kampionë të Shqipërisë dhe që përfaqësojnë dy qytete të mëdha, në dy ndeshjet e fundit janë gjobitur me nga 100 mijë lekë. Pra, për 2 ndeshjet e fundit Elbasani dhe Flamurtari duhet të paguajnë nga 200 mijë lekë secili në FSHF vetëm për shkak të sjelljes problematike të tifozëve.
Paradoksal është fakti se Elbasani i ka fituar të dyja ndeshjet e fundit në fushën e tij, kur ka marrë gjobë. Tifozët nuk kanë pasur arsye për nerovizizëm…
I njëjti problem është edhe me shumë klube të tjera në vend dhe me këtë ritëm tifozët, në vend të mbështetjes, kthehen në një kosto sistematike për skuadrat e tyre të zemrës.
Në anën tjetër, komisionet përkatëse të FSHF-së, edhe në rastet e përsëritura, vazhdojnë me gjoba standarde, në vend që të ashpërsojnë masat për të parandaluar sadopak fenomenin. Me masa më të forta tifozët mund të disiplinohen dhe kështu mund të shmangin problematikën edhe kur luan Kombëtarja.
Vendimet e fundit të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës
Skënderbeu, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në terrenin sportiv, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë.
Elbasani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në terrenin sportiv, dënohet me gjobë në masën 100.000 lekë.
Burreli, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në terrenin sportiv, dënohet me gjobë në masën 100.000 lekë.
Flamurtari, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në terrenin sportiv, dënohet me gjobë në masën 100.000 lekë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




