Futboll

Historike/ Finalet e Euro 2025 për U-17 në Shqipëri, Duka zgjidhet zv.president i UEFA-s

Gazeta Si – Dy lajme të mëdha për futbollin shqiptar, dy lajme historike. I pari është se për herë të parë në Shqipëri do të zhvillohet faza finale e një Europiani moshash, konkretisht e U-17, në vitin 2025. I dyti është se presidenti i FSHF-së, Armand Duka, është zgjedhur zëvendëspresident i UEFA-s.

FSHF ka arritur të sjellë për herë të parë në Shqipëri finalet e një turneu madhor ndërkombëtar për moshat. UEFA i ka besuar Shqipërisë organizimin e finaleve të Kampionatit Europian 2025 për grupmoshën U-17.

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, në mbledhjen e zhvilluar këtë të martë në Qipro, ka votuar pro kandidaturës shqiptare, me finalet e turneut kontinental që do të luhen në Shqipëri pas dy vitesh. Investimet në infrastructure dhe eksperienca e pasur e administratës së FSHF-së në organizimin e turneve ndërkombëtarë ka bindur sërish UEFA-n të sjellë në vendin tonë një ngjarje madhore, pas finales së Conference League.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, nga sot do të jetë edhe në postin e zv.presidentit të UEFA-s, duke u bërë i pari shqiptar që arrin në një pozicion kaq të lartë në hierarkinë e futbollit europian. Vendimi u mor sot, në mbledhjen e radhës së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, që zgjodhi Dukën me votim unanim në postin e numrit 2 të qeverisë së futbollit europian.

Një tjetër votëbesim i rëndësishëm për numrin 1 të futbollit shqiptar, që pak muaj më parë u zgjodh për herë të dytë anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Në këto zgjedhje Duka u rendit në vendin e parë në bazë të votave, duke u zgjedhur me 45 vota në total nga 55 të tilla.

Lajmet e sotme janë pa diskutim arritje të madhe jo vetëm për futbollin shqiptar, por për të gjithë Shqipërinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë