Futboll

Ceferin nën akuzë: Dha prova false për të mbrojtur mikun e tij

Nga Gazeta Si – Finalja e Championsit 2022, e fituar nga Real Madrid ndaj Liverpulit, rikthehet në vëmendje. Këtë herë mediet flasin për një hetim të brendshëm të UEFA-s, ku përfshihet direkt presidenti Aleksander Ceferin, i akuzuar se ka përdorur prova false për të ndihmuar një mik.

Lajmi është zbuluar nga “The Guardian”, që ka publikuar shënimet e ish-drejtoreshës operative të UEFA-s, Sharon Burkhalter-Lau, të përcjella sekretarit të përgjitshëm të këtij institucioni, Theodore Theodoridis, në lidhje me trazirat e ndodhura në Paris mbrëmjen e finales.

Aleksander Ceferin, presidenti i UEFA-s. Gazeta Si, 3 prill 2023

“Janë paraqitur prova krejtësisht false në hetimin për katastrofën e shmangur në finalen e Championsit 2022, në ‘Stade de France’ mes Liverpulit dhe Real Madrid, për të mbrojtur sektorin e sigurisë së UEFA-s, që drejtohet nga miku i ngushtë i presidentit”, ka shpjeguar Burkhalter-Lau.

Akuza të rënda që hedhin dritë për atë çfarë ndodhi mbrëmjen e 28 majit 2022, kur hyrja e tifozëve në stadium rrezikoi të transformohej në një tragjedi të vërtetë. E gjitha kjo për shkak të administrimit të keq të sigurisë. Kaosi u shkaktua nga nervozizmi i mijëra tifozëve dhe reagimit të policisë franceze.

Në atë kohë sektori i sigurisë drejtohej nga Zheljko Pavlica, mik i ngushtë i Ceferin. Ajo çka ndodhi me hetimin e UEFA-s shkaktoi zemërimin e Burkhalter-Lau. Ajo e ka akuzuar Pavlican se nuk ishte paraqitur me ekipin e tij në mbledhjet e rëndësishme para finales dhe se nuk kishte dhënë informacionin thelbësor për procesin e planifikimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë