Futboll

Historia/ Negociatat e transferimit të Maradonës te Barcelona, me pistoletë mbi tavolinë

Gazeta Si – Një Odise e vërtet për Josep Maria Minguela, agjentin historik të futbollit, ajo që ai përballoi për të transferuar Diego Armando Maradonën nga futbolli argjentinas në Europë. Presioni i ushtarakëve, periudha te Boka dhe shifra rekord e transferimit…

“E kam zbuluar Diegon shumë të ri dhe thuajse rastësisht. Ishte aq i zoti, sa ia ofrova menjëherë Barcelonës”, – thotë Minguela. Ai kaloi shumë vështirësi për të çuar yllin argjentinas te katalanasit. Debutimi me Barcelonën ndodhi 41 vite më parë, më 4 shtator 1982.

Kur Maradona prezantohej te Barcelona. Gazeta Si, 26 shtator 2023

Në 1977-ën agjenti shkoi në Argjentinë për të parë ndeshjet e Argentinos Juniors. Duhej të shihte një mesfushor të djathtë, me emrin Jorge Perez, por u hipnotizua nga loja e një lojtari virtuoz të lindur në Vila Fiorito.

“Pastaj, – tregon Minguela për ‘BBC Mundo’, – nga stoli u fut një djalosh me një fizik të pabesueshëm, më mbathje që dukeshin si për plazh dhe me shumë flokë. U dashurova me mënyrën si e prekte topin, nga mënyra si lëvizte. U dashurova me Maradonën dhe si tifoz i Barcelonës kuptova që duhej ta çoja ty me çdo kusht”.

Pavarësisht qëllimeve të tij, për drejtuesit blaugrana Maradona ishte shumë i ri dhe vetëm në 1980-ën filluan tratativat. “Gjithçka ishte e llogaritur” – vazhdon agjenti spanjoll. Edhe një miqësore në Barcelonë dhe një vizitë e presidentit Jose Luis Nunjez në një ndeshje të Argjentinës.

Josep Maria Minguela

Megjithatë, 15 apo 20 ditë më pas, ra telefoni i Minguelas. Ishte Julio Humberto Grondona, atëherë president i AFA, Federatës argjentinase. “Më tha se kishte probleme me transferimin dhe se duhej të shkoja në Argjentinë për të takuar Ministrin e Previdencës Sociale, admiralin Lakoste, që kishte mbajtur këtë detyrë për punën e mirë të organizimit të Kupës së Botës në ’78-ën”.

Ishte një periudhë diktature dhe frike. Ushtarakët nuk ishin të interesuar që Maradona të linte vendin deri në Spanjë 1982. “Tani nuk mund të firmosin. Kemi nevojë për të për Kupën e Botës”, – i thanë agjentit. Skuadra e Menotit shkonte në Botëror si kampione dhe duhej të mbronte titullin. Numri 10 u bë një çështje shteti.

Në atë mundje dore, Argentinos Juniors e huazoi ‘El Pibe de Oro’ te Boka për dy sezone, në mënyrë që të luante si protagonist në kampionat. Në fund të huazimit, Minguela u kthye në Buenos Aires për të riaktivizuar interesimin e Barcelonës dhe takoi sërish presidentin e Argentinos, komisarin Domingo Tesone, që kishte zëvenndësuar Prospero Konsolin.

Agjeti Minguela me Maradonen dhe Stoiçkov et Barcelona. Gazeta Si, 26 shtator 2023

Në tavolinën e një restoranti të kryeqytetit u zhvillua dialogu, që dukej si skena e një filmi me gangsterë.
“Shpresoj të mos u vijë keq, nëse e lë pistoletën mbi tavolinë. Është e rëndë dhe jo komode për t’u mbajtur”, – tha Tesone. “Miku im, nëse nuk shkrep vetë, për mua është mirë”, – u përgjigj Minguela.

Kështu u vendos kalimi i Maradonës te Barcelona, pas një akordi të zyrtarizuar më 4 qershor 1982. Mund ta kishte marrë për 100.000 dollarë në 1977-ën, por vendosi të priste dhe 4 sezone më pas pagoi rreth 1.2 miliardë peseta (7.2 milionë euro), një shifër rekord për kohën në merkaton europiane.

“Ishte kontrata më e madhe që kam bërë, por edhe më e gjata dhe më e komplikuara”, – ka thënë agjenti, që dhjetëvjeçarë më pas u rikthye në qendër të kronikave për mbërritjen e një tjetër ylli argjentinas te Barcelona, Lionel Mesi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë