Futboll

Kristjan Asllani, dy rivalë të fortë tek Interi për të zënë vendin e Çalhanoglu

Gazeta Si – Kristjan Asllani duhet të luftojë fort për të qenë në fushë. Jo titullar, por për të qenë zëvendësuesi i parë i Hakan Çalhanoglu, nëse mesfushori turk mungon tek Interi. Nuk do të jetë aspak e lehtë për futbollistin shqiptar, që duhet të mposhtë dy rivalë të fortë në këtë garë.

Me ikjen e Brozoviç është Çalhanoglu ai që bën diferencën tek Interi. Por kur ai mungon, kush është lojtari më adapt për ta zëvendësuar? Asllani luajti titullar në ndeshjen e parë në grupet e Ligës së Kampionëve, por nuk bindi. Sensi është i dëmtuar, Mkhitarian mund të adaptohet në atë rol, ndërsa Klasen ende nuk ka debutuar.

Mkhitarian dhe Klasen janë rivalët e Asllanit për pozicionin e regjisorit dhe gara është e hapur. Një pozicion delikat dhe Interit gjatë sezonit mund t’i ndodhë shpesh që të mungojë Hakan Çalhanoglu, ashtu si ndaj Real Sociedad. Trajneri Inzagi duhet të vendosë. Ai nuk e lejoi Asllanin që të huazohej në skuadra të tjera, duke e kosnideruar të rëndësishëm për zikaltrit.

Një shans e pati mesfushori kuqezi dhe ai nuk dha sinjalin që priste trajneri, por vetëm një ndeshje nuk mjafton për të marrë vendime të rëndësishme. Tani ‘topi’ është në ‘fushën’ e Asllanit. Mundësinë e radhës duhet ta shfrytëzojë më mirë, nëse do të që të luajë para dy rivalëve.

Kristjan Asllani është një lojtar shumë i rëndësishëm për Kombëtaren shqiptare. Sa më shumë të luajë me Interin, aq më mirë është edhe për stafin kuqezi. Trajneri Silvinjo i ka besuar fanellën e titullarit, sepse ia di mirë potencialin, por aktivizimi i rregullt ndikon drejtpërdrejt në formën e lojtarit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë