Futboll

Superiore/ Derbi Dinamo-Partizani sot në Elbasan, në fushë dhe Tirana kryesuese

Gazeta Si – Dy ndeshje të rëndësishme të javës së 5-të të Superiores luhen sot. Në fushë zbret fillimisht Tirana, që në orën 15:00 pret Erzenin në stadiumin ‘Selman Stërmasi’, kurse në orën 18:00 luhet derbi mes Dinamo City dhe Partizanit në ‘Elbasan Arena’.

Tirana kryeson renditjen me 10 pikë pas 4 javësh. Ndeshja e sotme me Ezenin pritet të sjellë edhe një tjetër trepikësh për skuadrën e trajneri Shehi. Diferencat mes dy skuadrave janë të mëdha, edhe pse shijakasit kanë bërë jo pak herë surpriza, e fundit javën e kaluar, kur mundën Dinamon.

Edhe kjo skuadër luan sot ndeshjen e javës së 5-të, derbin me Partizanin. Në kryeqytet nuk ka stadium të disponueshëm, kështu që edhe derbin e dytë të sezonit blutë do ta luajnë në Elbasan. Skuadra e drejtuar nga trajneri Luixhi Di Biaxho ka nevojë për pikë, pasi në 4 javë regjistron vetëm 1 fitore dhe 3 humbje. Me kampionët në fuqi do të jetë shumë e vështirë.

Partizani gjithashtu ka lënë pikë në këto javë të para dhe sot kërkon maksimumin. Trajneri Zekiç ka të gatshëm edhe sulmuesin Mba për këtë derbi, ndërkohë që është kthyer në skuadër braziliani Da Silva, i lënë jashtë disa ndeshje për arsye disiplinore.

Tri ndeshjet e tjera të javës së 5-të luhen ditën e shtunë. Ato janë Egnatia-Laçi, Skënderbeu-Kukësi dhe Vllaznia-Teuta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë