Futboll

‘Mbreti’ i vërtetë i merkatos verore ishte Amr Varda, 4 transferime në një muaj!

Gazeta Si – Protagonist absolut i një merkatoje turbulente. Ish-lojtari i kombëtares së Egjiptit, pjesëmarrës në Botërorin 2018, kaloi nga Qipro në Marok e pastaj në Iran, para se të kthehej në vendin e tij. Një rast vërtet i rrallë.

Mbreti i vërtetë i merkatos 2023 nuk është në Europë dhe as në Arabinë Saudite. Sepse në futbollin e sotëm, të ndërrosh shumë herë skuadër do të thotë të lumturosh agjentin, që përfiton jo pak nga kommisionet. Dhe menaxheri i Amr Varda duhet t’i bëjë një dhuratë të bukur klientit të tij, që në muajt e fundit e ka pasuruar.

Historia e mesfushortit të vitlindjes ’93 është e rrallë, sepse ka bërë plot 4 transferime në një sesion merkatoje, atë të verës që lamë pas.

Vitin kalendarik Varda e nisi në Qipro, me Apollon Limasol, ku kaloi në janar nga Anorthosisi dhe firmosi për 6 muaj. Më 12 gusht Varda u kthye në Afrikë dhe firmosi me marokenët e Raja Kasablanka, por diçka nuk funksionoi. Pas 2 javësh Amr vendosi të prishte kontratën, duke paguar nga xhepi klauzolën për “motive mentale dhe personale”.

Sërish në Qipro, ku duket se djaloshi është ndjerë mirë. Më 24 gusht firmosi me Doxa Katokopias, klub i vogël që lufton për mbijetesë. Edhe kjo aventurë zgjati pak, edhe pse jo për arsye futbollistike. Pak ditë pas federimit, emri dhe fotoja e tij u zhdukën nga klubi për arsye të panjohura.

Mendohet për arsye dokumentesh, ndërsa Varda ishte bërë pa dijeninë e tij objekt plusvalence nga Doxa, siç u zbulua nga klubi pasardhësa, iranianët e Esteghlal.

Ishte transferimi i 3-të, por as Irani nuk u bë shtëpia e Amr, që pas disa ditësh vendosi të kthehet në Marok. Por dështoi, sepse Raja refuzoi dhe kjo lëvizje i kushtoi lojtarit, atij iu mbyll dera edhe në Qipro dhe Iran. Në këtë pikë Amr u kthye në Egjipt, me Pharco FC.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë