Nga Gazeta Si – UEFA me dorë të hekurt ndaj Shqipërisë për sendet dhe flakadanët e hedhur në fushë në ndeshjen Shqipëri-Poloni. Shqipëria rrezikon t’i mbyllen dy tribunat pas porte vetëm për atë ngjarje, duke filluar nga ndeshja me Çekinë më 12 tetor.
Nga ky takim dhe për një periudhë 2-vjeçare, stadiumi ynë ‘Air Albania’, por edhe në çdo stadium ku do të luajë përfaqësuesja kuqezi, do të jenë nën vëzhgim të rreptë nga UEFA dhe përsëritja e një ngjarje të tillë do të aktivizojë pezullimin përfundimtar 2-vjeçar të dy pjesëve pas porte, ku përgjithësisht qëndrojnë grupimet e tifozerive ultras.
Gjithashtu, Federata Shqiptare e futbollit, si organizatore e ndeshjes gjobitet me 44.000 euro për këtë ngjarje.
Kjo është hera e parë që Shqipëria rrezikon një dënim kaq të rëndë për kapriçiot dhe sfidat e disa individëve për të tejkaluar sigurinë e policisë, por edhe atë private dhe për të futur në stadium materialet piroteknike, rreptësist të ndaluara në çdo ndeshje.
Prova e dënimit me kusht fillon nga ndeshja e 12 tetorit me Çekinë, ku përsëritja e incidenteve do të ishte me kosto të lartë për tifozët vetë dhe Kombëtaren, sepse do të humbiste ‘Lojtarin e 12-të’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.