Përmes një raporti, deputetët e Parlamentit Evropian kanë shprehur keqardhje për ngecjen që Mali i Zi ka bërë në rrugën drejt integrimit në BE si pasojë e krizës së brendshme politike.
Eurodeputetët po ashtu shprehën shqetësim edhe për tentimet për ndërhyrje dashakeqe nga jashtë që sidomos vijnë nga Rusia, Kina dhe Serbia.
Raporti për Malin e Zi u miratua në Komisionin e Politikës së Jashtme të PE-së me 51 vota në favor, tri kundër dhe tetë abstenime.
Në raport u tha se ligjvënësit evropianë mirëpresin vazhdimin e përkushtimit të Malit të Zi për integrim në BE dhe mbështetjen e lartë që ekziston për këtë gjë në opinionin publik.
“Eurodeputetët shprehen se dështimi për të ndërtuar konsensus për çështjet e interesit kombëtar dhe mungesa e dialogut ndërpartiak, e kanë vonuar progresin në reformat evropiane dhe e kanë kthyer Malin e Zi në një krizë të thellë institucionale dhe politike”, u tha në njoftimin e lëshuar nga PE-ja pas miratimit të raportit.
Eurodeputetët kanë mirëpritur përshtatjen e plotë që Mali i Zi ka bërë me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës për shkak të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.
Raporti është përpiluar nga deputeti kroat, Tonino Picula, i cili ka thënë se ky raport, që është i fundit në këtë mandat të Parlamentit Evropian, dëshmon një ngecje të gjatë të rrugëtimit të Malit të Zi drejt BE-së dhe ekzistimin e një krize të thellë politike në këtë shtet.
“Deputetët presin formimin e një qeverie pro-evropiane sa më shpejt që të jetë e mundur, një Qeveri e cila qartë dhe pa dyshime mbështet politikat dhe vlerat evropiane, në përputhje me pritjet e shumicës domethënëse të qytetarëve të këtij vendi”, tha Picula, që është raportues në PE për Malin e Zi.
Mali i Zi cilësohet si lider në Ballkanin Perëndimor sa i përket procesit të anëtarësimit në BE. Ky vend ka qenë kandidat që nga viti 2010, dhe më 2012 i hapi bisedimet për anëtarësim me Brukselin.
I hapi të gjithë kapitujt e procesit të anëtarësimit, por i mbylli përkohësisht vetëm tre kapituj.
Pavarësisht faktit se vlerësohet si vendi më i avancuar në bisedimet për anëtarësim, që nga viti 2012, Mali i Zi nuk e ka pasur asnjë konferencë ndërqeveritare (që është brenda kornizës së bisedimeve për anëtarësim), për shkak të përparimit të pamjaftueshëm në procesin e reformave, që është hap shumë i nevojshëm për të shënuar përparim në bisedimet për anëtarësim.
Mali i Zi ka mbajtur të parakohshme parlamentare më 11 qershor. Lëvizja Evropa Tani fitoi më së shumti vota, përkatësisht 26 për qind./ REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



