Ne rrjet

‘Koka e ministrit kinez të Mbrojtjes bie në Pekin’. Li Shangfu u zhduk papritur që nga gushti

Burimet e inteligjencës amerikane pohojnë se Li Shangfu u shkarkua për korrupsion. Në dhjetë vjet, Xi Jinping ka eliminuar më shumë se njëqind gjeneralë. Komandantët e forcave raketore u spastruan në gusht

Gazeta Si – Një tjetër “vrimë e zezë” është hapur në nomenklaturën e Pekinit: ministri i Mbrojtjes, Li Shangfu është zhdukur nga skena që nga fundi i gushtit. Sipas qeverisë amerikane, gjenerali përfundoi nën hetim për korrupsion, u largua nga detyra dhe u arrestua.

Thashethemet kishin qarkulluar prej ditësh mes “ekspertëve të Pekinit” për fatin e ushtarakut, i cili ishte promovuar në krye të ministrisë vetëm marsin e kaluar, në fillim të mandatit të tretë presidencial të Xi Jinping.

Informacioni i inteligjencës për shkarkimin e tij iu dha “Financial Times” nga pesë burime të Uashingtonit. Por edhe gazeta “Wall Street Journal” gjeti konfirmim në Pekin për arrestimin e gjeneralit.

Deri mëngjesin e sotëm, Departamenti i Mbrojtjes dhe i Punëve të Jashtme të Pekinit nuk i ishte përgjigjur pyetjeve në lidhje me situatën e personalitetit.

Li Shangfu u pa për herë të fundit në publik më 29 gusht, kur mbajti një fjalim në Forumin e Paqes dhe Sigurisë Kinë-Afrikë, një gjurmë e të cilit mbeti në faqen e internetit të ministrisë së tij.

Pastaj asgjë më shumë. Në rrethana normale, nuk do të kishte nevojë të shqetësoheshim shumë për të mos parë një ministër kinez në qendër të vëmendjes për disa ditë.

Por në korrik, dalja nga skena e ministrit të Jashtëm, Qin Gang, mes spekulimesh në mediat sociale kineze dhe në një nivel të lartë ndërkombëtar, kishte qenë preludi i largimit të tij “për arsye shëndetësore”.

Dhe në gusht, dy gjeneralë, Li Yuchao dhe Liu Guangbin, komandant dhe zëvendës i Forcave Raketore të Ushtrisë Çlirimtare Popullore, u pushuan nga puna.

Komandanti Li Yuchao, gjithashtu ishte zhdukur nga radarët për muaj të tërë pa shpjegime. Për këta dy zyrtarë arsyeja u deklarua: korrupsioni.

Në shtator, ministri Li humbi të paktën disa takime të planifikuara me kolegë të huaj: komandantin e Marinës së Singaporit dhe shefin e mbrojtjes së Vietnamit.

Në Hanoi javën e kaluar u njoftua se vizita e Li ishte shtyrë për “arsye shëndetësore”. Përpara se të promovohej në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, Li Shangfu kishte drejtuar “Departamentin e Prokurimit dhe Zhvillimit të Pajisjeve” të Ushtrisë Çlirimtare Popullore që nga viti 2017.

Një pozicion që kontrollon biznesin dhe paratë e mëdha në qarkullim. Korrikun e kaluar, Departamenti i tij i vjetër, në një deklaratë të rrallë të raportuar nga shtypi i Pekinit, njoftoi se kishte ndërmarrë një “pastrim” të procedurës për dhënien e kontratave dhe kishte ftuar këdo që kishte informacion mbi parregullsitë që datojnë që nga viti 2017 për t’i komunikuar ato me hetuesit.

Interesi i Shteteve të Bashkuara për fatin e gjeneralit është veçanërisht i lartë, sepse Li, kur ishte ende duke drejtuar makinën e furnizimit për forcat e armatosura, kishte negociuar me Moskën për blerjen e avionëve luftarakë Su-35 dhe raketave S-400.

Për këtë sipërmarrje, oficeri kinez u vendos në listën e zezë të Uashingtonit në vitin 2018, duke iu nënshtruar sanksioneve formale, të cilat, ndër të tjera, e pengojnë atë të hyjë në Shtetet e Bashkuara.

Duke e promovuar atë si Ministër të Mbrojtjes dhe Këshilltar i Shtetit në moshën 65-vjeçare, Xi Jinping ndoshta kishte dashur të dërgonte një sinjal fuqie në Uashington.

Fakti është se Li Shangfu ka refuzuar gjithmonë çdo kontakt me amerikanët që nga marsi, pavarësisht kërkesave të shumta për takim nga kreu i Pentagonit, Lloyd Austin.

Në administratën e Bidenit, qarkullon njëfarë kënaqësie për një “silurim” të tillë të mundshëm. Është thënë prej ditësh nga Rahm Emanuel, ambasador në Tokio, i cili shkroi për ish-ministrin e Punëve e Jashtme, pastaj dy gjeneralët e raketave, tani ministri i Mbrojtjes që zhduket…”.

Emanuel është një ekspert politik në qeveri, ai kishte qenë shef i shtabit të Shtëpisë së Bardhë në kohën e Obamës.

Reagimi i ambasadorit Emanuel mund të varet nga fakti se nëse konfirmohej se edhe Li kishte rënë në grackën e spastrimit, ndoshta pasardhësi i tij mund të rifillonte kontaktet me kundërshtarët amerikanë, siç vërehet nga burimet e Uashingtonit.

E vetmja siguri është se Xi Jinping, është gjithashtu komandant i Komisionit Qendror Ushtarak dhe në dhjetë vitet e tij në pushtet, ai është angazhuar për një reformë të madhe të Ushtrisë Çlirimtare Popullore, duke e modernizuar atë.

Ai vazhdon të shfaqet në mesin e gjeneralëve, duke i nxitur ata që “të jenë të gatshëm për të luftuar dhe për të fituar një luftë”.

Por Xi me sa duket ka ende një problem të madh të zinxhirit komandues. Vitet e fundit, shtypi i Pekinit ka raportuar raste të shumta të largimit për korrupsion dhe abuzim me pushtetin mes gjeneralëve.

Deri në atë pikë, sa në vitin 2018 agjencia e lajmeve “Xinhua”, shkroi: “Që nga viti 2012, nën udhëheqjen e shokut Xi, mbi 100 oficerë të lartë janë dënuar: një numër më i madh se numri i gjeneralëve që ranë në fushën e betejës gjatë luftërave revolucionare”. Që nga viti 2018, lista e të pushkatuarve (metaforike) është rritur.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë