Fajësimet e Brukselit për mos arritjes së një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit vijojnë të jenë si shigjeta ndaj Kosovës. Raundi më i fundit i bisedimeve ka dështuar dhe për këtë kryediplomati europian, Josep Borrell akuzon në mënyrë direkte kryeministrin Albin Kurti.
Borrelli ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar së pari njohje "de facto" nga Serbia, ndërsa Vuçiçi ka kërkuar themelimin e Asociacionit.
“Ne kemi propozuar të zbatohen këto paralelisht, të sigurohet që të marrë diçka e të japë diçka. BE-ja dhe komuniteti i gjerë ndërkombëtarë, përfshirë partnerët amerikanë, e shohin këtë si rrugë të vetme për të funksionuar zbatimi. Të dyja palët duhet të kenë garanci se veprimet shpërblehen, me masa nga pala tjetër. Sot, jam munduar me Kurtin e Vuçiçin të gjej rrugën para, duke u bazuar në propozimin tonë. Për fat të keq, pas takimit të gjatë, Kurti nuk ishte i gatshëm që të ecët para, të fillojë një proces i besueshëm për themelimin e Asociacionit. Ai insistoi të formalizohet njohja de facto si hap i parë”, ka thënë Borrelli.
"Ky ka qenë kompromisi më i mirë që kemi mundur të ofrojmë", tha Borrell dhe vuri në dukje se ai mbështetet edhe nga partnerët amerikanë.
Kryediplomati evropian tha, po ashtu, se situata në veri të Kosovës - zonë e banuar me shumicë serbe - nuk është qetësuar ende dhe kërkoi nga të dyja palët që të ndërmarrin hapa për shtensionimin e saj.
"Nuk mund të qëndrojmë ulur dhe të presim krizën e radhës. Disa hapa janë ndërmarrë nga Kosova dhe ne i mirëpresim. Disa, por ajo nuk e ka përmbushur kërkesën e bërë për shtensionim të plotë", tha Borrell.
Qëndrimi i ashpër i shefit të politikës së Jashtme tregon qartë se Brukseli nuk do të heqë kushtet e vendosura ndaj Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.