Menaxhim

Numri i llogarive globale që u thyen nga hakerat u rrit me 156% në tremujorin e dytë. Shqipëria, e vetmja që pësoi rënie në rajon

Nga Gazeta ‘Si’– Në harkun e muajve prill-qershor mbi 110 milionë llogari u shkelën (breached accounts) në të gjithë botën, ose 2.6 herë më shumë se numri i shkeljeve në tremujorin e parë të vitit.

Referuar raportit nga ofruesi global Surfshak për shkeljen e të dhënave (kur hakerat kopjojnë/vjedhin dhe nxjerrin të dhënat e përdoruesve, si emri, mbiemri, adresa e e-mailit, fjalëkalimi) në tremujorin e dytë 855 llogari patën rrjedhje të të dhënave në minutë.  Në tremujorin e parë të vitit numri i tyre ishte 334.

Tremujori i dytë regjistroi një rritje prej 156% të llogarive të shkelura në rang global.

Vendet kryesore me më shumë shkelje gjatë tremujorit të dytë

Pesë vendet e para përbëjnë rreth 68% të të gjitha llogarive të shkelura gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.

Shtetet e Bashkuara, Rusia, Spanja, Franca dhe Turqia kishin numrin më të madh të llogarive të shkelura gjatë tremujorit të dytë. Përveç Turqisë, këto vende ishin gjithashtu ndër 5 vendet e para edhe në tremujorin e parë.

SHBA qëndron e para në tremujorin e dytë të 2023. Ajo përfaqëson 49.8 milionë llogari të shkelura. Llogaritë amerikane përbëjnë 45% të totalit në tremujorin e dytë, duke u rritur me 830% nga 5.4 milion në tremujorin e mëparshëm.

Rusia ka numrin e dytë më të lartë të llogarive të shkelura në tremujorin e dytë të 2023, në 15.3 milionë nga 6.8 milionë në tremujorin e parë.

Pavarësisht se është vendi me më shumë llogari të shkelura në tremujorin e parë, llogaritë ruse përfaqësojnë më pak se 14% të të gjitha llogarive të shkelura në tremujorin e dytë.

Raporti i Shqipërisë me rajonin

Numri i shkeljeve të të dhënave ka pësuar një rënie prej 36% gjatë tremujorit të dytë në Shqipëri në raport me tremujorin e parë. Në total janë regjistruar 6.8 mijë llogari të shkelura, që përkthehet në 2 llogari të shkelura për 1 mijë banorë.

Krahasuar me shtetet e rajonit Shqipëria është e vetmja që ka pësuar rënie të numrit të shkeljeve të të dhënave.

Në Kosovë kjo shkelje është rritur me 126% në tremujorin e dytë krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti.

Shkelja e të dhënave në Malin e Zi gjatë tremujorit të dytë është më e larta krahasuar me vendet e rajonit, e rritur me 428% krahasuar me T1. Kjo përkthehet ndryshe në 295 shkelje për 1 mijë banorë.

Mali i Zi ndiqet nga Maqedonia e Veriut ku numri i llogarive të shkelura është rritur me 310 për qind në T2 në raport me tremujorin e mëparshëm.

Edhe në Serbi numri i shkeljeve ka shënuar rritje, përkatësisht me 287% në muajt prill-qershor.

Vendet kryesore të shkeljes së të dhënave në raport me numrin e popullsisë

Dendësia e shkeljeve matet duke pjesëtuar numrin total të shkeljeve të një vendi me popullsinë e tij. Kjo metrikë na lejon të kuptojmë më mirë se sa shanse ka që banorët të preken nga shkelja e të dhënave në vende të ndryshme.

Për shembull, edhe nëse dy vende kanë të njëjtin numër llogarish të shkelura, banorët e një vendi me një numër më të vogël popullsie mund të kenë më shumë gjasa të përjetojnë një shkelje të të dhënave.

Dy vende u dalluan me dendësinë e tyre të lartë të shkeljes së të dhënave: Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.

SHBA regjistruan densitetin më të lartë të shkeljeve në tremujorin e dytë, me 147 llogari të shkelura për çdo 1000 amerikanë. Shifra është rritur krahasuar me 16 llogari të prekura për 1 mijë banorë në tremujorin e parë.

Ndërsa Rusia me 47 shkelje për 1 mijë banorë në tremujorin e parë, e dyfishoi këtë numër në tremujorin e dytë, në 106 shkelje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë