Futboll

Dy golat për kornizë me Kombëtaren e vendosin Jasir Asanin në qendër të merkatos

Gazeta Si – Koreja e Jugut është një stacion i përkohshëm për Jasir Asanin. Sulmuesi i djathtë, me ata dy gola të shënuar për Shqipërinë ndaj Moldavisë dhe Polonisë, ka rritur ndjeshëm interesin e klubeve europiane në merkato. Vlera e futbollistit 28-vjeçar është shumëfishuar tashmë.

Një lojtar me kualitetin e Asanin dhe në kulmin e pjekurisë i ka të gjitha ‘kartat’ në rregull për të luajtur një kampionat elitar europian. Gjuetia sapo ka nisur dhe shumë shpejt do të ketë të reja sa i takon të ardhmes së ish-lojtarit të Partizanit.

Jasir Asani feston golin ndaj Polonise. Gazeta Si, 12 shtator 2023

Ata dy gola të stilit ‘Roben’ ishin kartvizita më e mirë që Asani mund të jepte për klubet e mëdha. Silvinjo i besoi që në fillim dhe lojtari i lindur në Shkup nuk zhgënjeu asnjëherë, ndoshta duke kaluar të gjitha pritshmëritë.

Shumë i shpejtë, i fortë në lojën një kundër një dhe me një të majtë të kalibruar, ai shumë mirë mund të veshë një fanellë më të rëndë se e ajo e koreanëve të Guangju, me të cilën Asani ka shënuar 7 gola. Më parë, përveç Partizanit në Superiore, ka luajtur edhe me Vardarin dhe Pobedën në Maqedoninë e Veriut, Aik Stokholm në Suedi dhe Kisvarda në Hungari.

Tani ka ardhur momenti që Asani të provojë veten një kampionat të nivelit të lartë në Europë, e meriton plotësisht. Golat spektakolarë dhe loja e mirë kanë bërë që emri i tij të futet në listat e shumë menaxherëve dhe drejtorëve sportivë. Do të jetë shumë e afërt dita, kur Jasir Asani do të firmosë kontratën e re.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë