Nga Gazeta ‘Si’ – Në raportin e fundit, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar një skemë e cila dëshmon se si Albpetrol ul në mënyrë fiktive çmimin me të cilin u shet naftë rafinerive vendase që e përpunojnë atë.
Referuar KLSH-së, Albpetrol u njeh dhe u zbret nga çmimi kompanive blerëse edhe shpenzimet e transportit të naftës për eksport, kur në të vërtetë nafta nuk shkon asnjëherë jashtë, por blihet nga dy rafineritë private vendase, ajo e Fierit dhe e Cërrikut.
Vetëm si pasojë e kësaj skeme, qytetarëve shqiptarë u janë vjedhur sipas raportit, 5.8 milionë dollarë në dy vitet e fundit.
Skema
“Çdo vit, Albpetrol siguron rreth 100-120 mijë tonë naftë nga prodhimi i puseve të tij, apo nga nafta që u merr kompanive koncesionare, të cilat shfrytëzojnë burimet e naftës së vendit.
Këtë sasi Albpetrol e shet çdo vit me ankand sipas një çmimi dysheme të paracaktuar nga ekspertët e tij. Në procedurat e ankandeve të shitjes së naftës u konstatua se grupi i ekspertëve, për përcaktimin e çmimit/njësi minimal fillestar të shitjes së naftës bruto ka bërë ulje shpenzimesh nga çmimi i shitjes së përcaktuar të ankandit, duke presupozuar shpenzime për vënien e produktit në kushtet FOB sipas kushteve të Bursës Ndërkombëtare për hidrokarburet” thotë KLSH.
Por në të vërtetë, vijon raporti, këto shpenzime nuk kryhen asnjëherë, pasi nafta nuk shkon në eksport por përpunohet në rafineritë private të Fierit ose Elbasanit.
“Pjesa më e madhe e shpenzimeve që ulen nga çmimi i shitjes janë fiktive pasi nuk ndodhin se shitjet e naftës janë kryer në operatorë ekonomikë vendas dhe nuk ka pasur shoqëri të huaja që janë shpallur fitues të ankandeve,” thuhet në raportin e KLSH.
Përfituesit
KLSh ka kontrolluar tre ankande të kryera nga Albpetrol. Shitja e parë është ajo e sasisë 40 mijë tonë, që është fituar nga bashkimi i Operatorëve Ekonomikë R.B.H Beline” sh.a., Elbasan, dhe Al Global Oil. Kompania e parë zotëron një rafineri në Cërrik, ndërsa Al Global Oil është pronarja e Uzinës së Bitumit në Fier.
Sipas KLSH-së në këtë ankand, vlera e shpenzimeve jo të kryera, por të zbritura nga Albpetrol në çmim ishte 3.55 dollarë për fuçi, duke arritur gjithsej në shumën 859 mijë dollarë.
Ankandi i dytë është zhvilluar po në prill 2021, por këtë herë me sasinë 100 mijë tonë naftë. Në këtë ankand u shpall fituese kompania Europetrol Durrës Albania, e cila ofroi çmimin 73.3 për qind e Brent minus 3.6 dollarë për barrelë. Zbritja e çmimit me 3.6 dollarë për fuçi është abuzim pasi këto shpenzime janë fiktive duke shkaktuar një dëm total në buxhetin publik prej 2.3 milionë dollarësh.
Procedura e tretë është ajo e shitjes së 120 mijë tonë naftë në prill të vitit 2022. Edhe në këtë procedurë është shpallur fitues bashkimi i operatorëve mes Europetrol Durrës dhe R.B.H Beline” sh.a., Elbasan, të cilat ofruan çmimin 75.33 për qind e Brent minus 3.36 dollarë për barrelë.
Sipas KLSH, vlera e shpenzimeve të pakryera në këtë ankand arrin në 2 milionë e 630 mijë dollarë, para të cilat u janë zbritur në mënyrë të padrejtë kompanive në çmimin e blerjes së naftës.
Në total, për vetëm tre ankande të kontrolluara janë abuzuar padrejtësisht 5.8 milionë dollarë, para të cilat duhet të ishin arkëtuar në buxhetin e kompanisë Albpetrol, por që u janë zbritur si shpenzime fiktive kompanive private.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



