Futboll

Gjermania shkarkon trajnerin Flik, Nagelsman favorit për vendin e tij. Fëler i përkohshëm

Gazeta Si – Gjermania, pasi ka shkarkuar trajnerin Hansi Flik për shkak të rezultateve tejet negative, është vënë në kërkim të pasuesit të tij. Kandidat kryesor për të marrë vendin e tij është ish-trajneri i Bajern Mynih.

Flik nuk është më trajner i Gjermanisë, ai u shkarkua si pasojë e rezultateve të dobëta, që kulmuan me humbjen 1-4 në miqësoren me Japoninë. Ishte pika klasike në fakt, që derdhi gotën e ujit.

Julian Nagelsman, kandidat kryesor per stolin e Gjermanise. Gazeta Si, 10 shtator 2023

Kombëtarja e drejtuar nga Flik u eliminua që në turin e parë të Botërorit të Katarit, por në atë moment Flik u konfirmua. Tani nuk ka më durim për drejtuesit e Federatës Gjermane të Futbollit, ndërkohë që në shtyp flitet edhe për një komplot nga ana e lojtarëve ndaj tashmë ish-trajnerit të tyre.

Favorit për t’u ulur në stolin e ‘Pancerave’ është Julian Nagelsman, i shkarkuar nga Bajerni disa muaj më parë për arsye që kurrë nuk u bënë të qarta. Në krye të skuadrës për ndeshjen me Francën do të jetë Rudi Fëler, i emëruar trajner i përkohshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë